Karriera e një futbollisti shpeshherë është e shkurtër, por intensive. Në shumicën e rasteve ata e gjejnë veten duke menaxhuar suksesin dhe famën që në moshë të re, përveç një pasurie të jashtëzakonshme krahasuar me jetën normale. Megjithatë, kur vjen momenti për t’i varur këpucët në gozhdë, duhet të përballesh me realitetin, të ndryshosh jetë, madje në mënyrë radikale.
Pikërisht për këto momente, pas përfundimit të karrierës si futbollist, ka dashur të flasë Mario Götze, fantazisti gjerman 32-vjeçar, aktualisht tek Eintracht Frankfurt. “Është një temë për të cilën nuk flitet shumë, por është një problem serioz. Shumë bien në depresion, – pranon lojtari, kampion bote në vitin 2014.
– Gjëja më e rëndësishme kur e lë futbollin është të shmangësh rënien në humnerë, në atë vrimë të zezë. Ky duhet të jetë objektivi i çdo futbollisti profesionist. Dhe nuk e them vetëm nga këndvështrimi ekonomik, edhe pse ruajtja e stilit të jetesës së një futbollisti shpesh kërkon të gjesh diçka për të bërë pas karrierës”.
Götze ka marrë rolin e një udhërrëfyesi, duke shpjeguar se çdo sportist duhet të kërkojë diçka që të mbushë boshllëkun e lënë nga futbolli: “Duhet të përpiqesh të gjesh diçka që të apasionon po aq sa futbolli, ose të paktën t’i ngjasojë. Mund të përqendrohesh në diçka pas karrierës, ku mund të vendosësh të njëjtën energji që ishe mësuar të jepje çdo ditë”.
Një shembull shumë i njohur në Itali është ai i Giorgio Chiellini, i cili në moshën 40-vjeçare ka marrë rolin e shefit të marrëdhënieve institucionale të futbollit te Juventusi. “E vlerësoj shumë faktin që Giorgio është një shembull i gjallë se si mund të kesh sukses në fusha të tjera (kreu universitetin duke luajtur edhe futboll), pa u shkëputur nga futbolli, dhe ta vazhdosh atë edhe në fazën pas karrierës”, – përfundoi Götze.
The post Götze i trembet “pensionimit”: Shumë futbollistë bien në depresion. Chiellini, shembulli për t’u ndjekur appeared first on Telesport.
