Duke folur në lidhje me aksionin e policisë në lidhje me dyshimet për parregullsi në Lotarinë Shtetërore, ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski i bëri thirrje publike ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, që të kthehet në Maqedoni, përcjell TV21. Toshkovski tha se policia kufitare ka bërë lëshime gjatë ditës së djeshme, në kontrollin që është dashur të bëhet ndaj Grubit.
Në lidhje me: Mickoski në TV21: Grubi me një biznesmen, me veturë diplomatike kanë dalë nga Maqedonia në Kosovë
“Opinioni në Maqedoni e di se cilët dy persona nuk janë të qasshëm për organet e ndjekjes. Unë do të dërgoja thirrje publike, në njërin prej atyre dyve, i cili gjatë ditës së djeshme tha se vullnetarisht do të kthehet në Maqedoni. Unë do të doja t’i besojë. Tha se është i pastër si loti, sërish do të doja t’i besojë. Ja publikisht i bëj thirrje që i njëjti të kthehet në Maqedoni, nëse nuk është kthyer ende, dhe t’u mundësojë institucioneve në mënyrë adekuate ta vazhdojnë këtë procedurë. Janë bërë lëshime nga ana e disa zyrtarëve të policisë në suaza të policisë kufitare, gjatë ditës së djeshme në orët e mëngjesit. Për të njëjtit, ka hetim të detajuar për momentin. Personalisht mendoj që atje nuk është vepruar sipas rregullave dhe procedurave të MPB-së dhe vlerësoj se është bërë gabim i madh në punën gjatë kontrollit të obligueshëm që është dashur të bëhet gjatë daljes nga Maqedonia drejt Kosovës të personave të caktuar”, tha Toshkovski.
