Ish-trajneri i Manchester City-t, Pep Guardiola, ka vlerësuar Jurgen Klopp-in, duke e përshkruar gjermanin si një nga figurat më të shquara në futboll dhe duke theksuar se emërimi i tij si trajner i Gjermanisë është një hap i rëndësishëm, i cili mund ta ndihmojë ekipin të rikthehet në vendin që i takon mes përfaqësueseve më të mira në botë.

Në një prononcim për revistën e Bundesliga-s, Guardiola u shpreh se admirimi i tij për Klopp-in është i pashprehshëm, duke e cilësuar gjermanin si një personalitet të jashtëzakonshëm që e bën botën e futbollit më të mirë.

Ai shtoi, siç raportohet nga “Sky Sports”: “Ai është një nga njerëzit më të mirë në futboll dhe nuk gjej fjalë për të përshkruar se sa shumë e admiroj. Është lloji i njeriut dhe trajnerit që e bën botën e futbollit më të mirë”.

Por spanjolli nuk u ndal vetëm te personaliteti i Klopp-it; ai vlerësoi gjithashtu mënyrën se si luajnë ekipet e tij. “Jurgen bën një punë të mrekullueshme. Lojtarët e tij luftojnë për çdo top përmes presingut të menjëhershëm (kundër-presingut), dhe stili i tyre i drejtpërdrejtë i lojës është i jashtëzakonshëm. Kur i shoh ekipet e tij duke luajtur, shpesh e gjej veten duke thënë: çfarë futbolli!”.

Guardiola beson se Federata Gjermane e Futbollit mori një vendim të rëndësishëm duke angazhuar Klopp-in pas eliminimit zhgënjyes në Kupën e Botës dhe ndarjes me ish-trajnerin Julian Nagelsmann, duke e cilësuar këtë si lëvizjen më të mirë të mundshme në këtë fazë.

Sipas ish-trajnerit të Barcelona-s, Bayern Munich-ut dhe Manchester City-t, Klopp-i zotëron një karizmë të madhe dhe një aftësi të rrallë për të krijuar lidhje me lojtarët. Kjo mund ta ngrejë kombëtaren gjermane, si në aspektin e performancës, ashtu edhe në marrëdhënien me tifozët.

Ai shtoi: “Besoj se nën drejtimin e tij, Gjermania do të jetë në gjendje të rikthehet në vendin që i takon; njerëzit do ta shohin sërish kombëtaren me një sy tjetër, kënaqësia do të rikthehet dhe tifozët do të ndjehen sërish krenarë për ekipin e tyre”.

Guardiola nuk mundi të parashikonte nëse Gjermania do ta fitojë Europianin e ardhshëm apo Kupën e Botës. Megjithatë, ai është i bindur se Klopp-i mund të sjellë ndryshime, duke argumentuar se një trajner me një personalitet të tillë në dhomat e zhveshjes do t’i motivonte lojtarët të jepnin më të mirën e tyre.

Dhe ai shpjegoi pse: “Kombëtarja ka lojtarë të mirë, dhe kur ata lojtarë hyjnë në dhomën e zhveshjes dhe shohin Jurgen Klopp-in, do t’i thonë vetes: çfarë trajneri, do të bë bëj gjithçka për të. Jurgen do t’i frymëzojë ata me stilin e tij të futbollit, dhe pas kësaj gjërat do të përmirësohen”.

The post Guardiola: Ja pse Gjermania do të kthehet në majë me Klopp appeared first on Telesport.