Më 21 nëntor, Pep Guardiola rinovoi kontratën e tij me Manchester City deri më 2027. Ky ishte një sinjal i fortë nga pronarët e klubit në një moment të veçantë për ekipin. Një ftesë për lojtarët që të mos e ulin vigjilencën, pasi cikli i trajnerit katalanas nuk kishte përfunduar ende. Megjithatë, kjo lëvizje nuk e ndryshoi situatën. Para firmës së rinovimit, Manchester City kishte pësuar 4 humbje radhazi. Pas rinovimit erdhën edhe 2 humbje të tjera, si dhe një barazim kundër Feyenoord.
Ndaj Liverpool-it, në ndeshjen e madhe të së dielës, ndoshta për herë të parë gjatë epokës Guardiola te “qytetarët”, fati ishte tashmë i përcaktuar. Dhe vërtet, Liverpool-i fitoi 2-0 e shkoi +11 pikë përpara në renditje. Manchester City, ndërkohë, është parakaluar nga Arsenali dhe Chelsea, si dhe është arritur nga Brighton.
Kurrë në karrierën e tij Guardiola nuk kishte mbetur 7 ndeshje radhazi pa fitore dhe asnjëherë nuk kishte pësuar 4 humbje radhazi në kampionat. Në fund të ndeshjes, trajneri përpiqej të shfaqte optimizëm: “Mund të më quani delirant, por kam ndjesinë se nga ky moment do ta rindërtojmë besimin tonë dhe do të fillojmë të fitojmë përsëri”.
Imazhi i vërtetë i “Anfield” ishte gjesti i tij i zemërimit ndaj Liverpool-it. “Do të të shkarkojnë nesër”, – ishte kori i tifozëve të kuq, me Guardiolën që si përgjigje tregoi me gishta numrin 6, aq sa janë titujt e City në Premier League gjatë periudhës së tij. Një reagim si Mourinho, por padyshim jo ai që ishim mësuar të shihnim nga ish-lojtari i Barçës.
Natyrisht, nuk do të ketë asnjë shkarkim sot për sot dhe është shumë e pamundur që kjo të ndodhë së shpejti. Ndjesia është se, nëse rrugët mes Guardiolës dhe City duhet të ndahen, do të jetë një zgjedhje e vetë trajnerit. Përndryshe, do të vazhdojnë së bashku, siç ishte rënë dakord. Përshtypja është se do të ketë disa “koka” të tjera që do “të priten” para largimit të trajnerit spanjoll.
Kevin De Bruyne ka kontratën që i skadon dhe vetë lojtari ka ngjallur dyshime për qëndrimin e tij. Gundogan është rikthyer, por vetëm deri në qershor. Bernardo Silva (kontrata skadon në vitin 2026) ka shprehur disa herë në intervista se ëndrra e tij është të luajë me Benfica, ndërsa Kyle Walker ka qenë një lojtar që mund të ishte larguar më herët, gjatë sesioneve të kaluara të merkatos.
The post Guardiola, kriza dhe gjesti alla Mourinho. Nëse mbetet te Manchester City, disa lojtarë do të “skarcohen” appeared first on Telesport.
