Gazetar: Shkëlzen Aqifi

Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi hodhi poshtë të gjitha akuzat e Prokurorisë ndaj tij duke thënë se e vërteta e vetme është se ai është plotësisht i pafajshëm. Thaçi tha se si student në Zvicër nuk po bënte plane për ta marrë kontrollin në Kosovë, por ishte Sllobodan Millosheviqi që po bënte plane morbide për një gjenocid të ri në Kosovë.

Thaçi tha se pas dështimit për të delegjitimuar pavarësinë e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, propaganda ruse dhe serbe ia mësynë Këshillit të Europës ku ringjallën pretendimet e rrejshme për trafikim organesh. Të gjitha këto ishin hedhur poshtë si të pabaza.

“E vërteta është se propaganda ruse dhe serbe manipuloi Dik Martin, ai ra viktimë e fushatës së tyre. Ata e ushqyen me informacione të rreme dhe në fund tentuan edhe ta vrisnin për të na fajësuar neve. Qëllimi ishte shumë i qartë, të diskreditohej projekti më i suksesshëm politik dhe ushtarak ndërkombëtar në dekadat e fundit. Kur votuam në parlamentin e Kosovës për themelimin e kësaj Gjykate ne besuam se do t’i trajtonte akuzat në raportin e Dik Martit dhe do të vepronte në përputhje me ligjet dhe kushtetutën e Kosovës, në praktikë as njëra e as tjetra nuk ndodhi. Kjo Prokurori në vend që të heqë renë e zezë Kosovës kërkon që t’ia zë diellin me një stuhi të zezë të ashtuquajtur “ndërmarrje e përbashkët kriminale. Sot në përfundim të këtij procesi, e kam vetëm një lutje të nderuar gjyqtar që vendimi juaj të jetë në përputhje me ligjet e Kosovës, provat dhe faktet. Dhe provat e paraqitura e bëjnë të qartë se akuzat nuk qëndrojnë andaj i vetmi vendim i drejtë është pafajësia e plotë”, tha Hashim Thaçi, Ish-President i Kosovës.

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli në fjalën përfundimtare i bëri thirrje gjykatës ta mbrojë “drejtësinë, të drejtën dhe paanësinë”.

“Kjo është arsyeja pse iu bashkova mijëra grave dhe burrave në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe pse i kam shërbyer gjithë jetën vendit tim. Edhe në momentet më të errëta nuk e humba kurrë besimin se e drejta, e vërteta dhe liria do të triumfonin. Gjithmonë kam besuar se populli i Kosovës e gëzonte të drejtën për të jetuar në liri

Pas dekadash hetimesh dhe dëshmisë të panumërta, nuk ka asnjë provë që të tregojë se kam kryer ndonjë krim. Nuk është provuar asnjë veprim i kundërligjshëm nga ana ime. Kjo nuk është çështje interpretimi por çështje fakti”, u shpreh Kadri Veseli, Ish-Kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Ish-deputeti Rexhep Selimi tha se të gjitha akuzat ndaj tij janë të pavërteta dhe se Prokuroria është mbështetur në pretendime që nuk kanë bazë në të vërteën, por vetëm për të njollosur luftën e drejtë të UÇK-së.

“Serbia kurrë nuk e fshehu qëllimin e saj ndaj shqiptarëve. Prandaj pyes sërish: Çfarë duhet të bënim ne? Të prisnim radhën për t’u vrarë, apo të iknim nga shtëpitë tona? UÇK-ja nuk u krijua nga dëshira por nga nevoja. Për mua të qenit bashkëluftëtar i Adem Jasharit është nderi më i madh. Po, kam bartur armë. Armët për ne ishin mbijetesë. UÇK nuk kishte qëllim tjetër përveç lirisë. UÇK ishte ushtri çlirimtare”, tha Rexhep Selimi, Ish-deputet i Kosovës.

Ish-kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi tha se aktakuzat ndaj tij janë shpifje. Shprehu mirënjohje për dëshmitarët që thanë të vërtetën për realitetin historik të Kosovës

“Akuzat e prokurorisë kundër nesh dhe UÇK-së janë ndërtuar mbi narrativat e atyre që shkaktuan disa luftëra në gjithë federatën jugosllave brenda një dekade. Nuk besoj që kjo akuzë i shërben ndonjë drejtësie. Drejtësia nuk mund të ndërtohet mbi gjuhën e ish-shtypësve, duhet të qëndroj mbi prova të besueshme dhe të vërtetën.

Krasniqi vazhdoi fjalën e tij me emocione duke shtuar se padrejtësia e këtij rasti është e shkruar në vetë aktakuzën e këtij rasti dhe se atij i atribuohen role, atuoritete e përgjegjësi që nuk i ka pasur kurrë. Figura e përshkruar në dokumentet e prokurorisë nuk është njeriu që sot qëndron para jush. Falënderoj dëshmitarët që erdhën dhe e thanë të vërtetën se kush isha dhe kush nuk isha. Unë nuk zotëroja pushtetin, komandën apo funksionet që më atribuohen në këtë rast. E gjithë bota e di që NATO ndërhyri kundër krimeve të kryera në Kosovë. NATO dhe bota demokratike nuk janë rreshtuar kurrë me terrorizmin apo gjenocidin”, tha Jakup Krasniqi, Ish-Kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Me fjalët përfundimtare të ish-krerëve të UÇK-së shënohet faza përfundimtare e procesit më të madh gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Prokuroria ka kërkuar që ata të shpallen fajtorë dhe të dënohen me nga 45 vjet burgim secili, por ekipet mbrojtëse kanë argumentuar se nuk ka prova për krimet e pretenduara dhe kanë kërkuar lirimin e tyre. Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit./ Alsat.mk

The post Hagë/ Katërshja e UÇK-së: Jemi të pafajshëm appeared first on Alsat.