Sot ka vazhduar seanca gjyqësore ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt në nëntor të 2023-tës.
Në bankën e dëshmitarit ishte Leonard Ademaj, vëllai i të ndjerës.
Leonardi thotë se burri i motrës së tij, Liridonës, Naim Murseli dukej i qetë pas vrasjes, gjë për të cilën Leonard Ademaj thotë se ishte surprizuar.
Ndër të tjera, ai thotë se Murseli kishte refuzuar ta shihnim kufomën. Fillimisht kishte thënë se nuk ju lejohej, pastaj kishte thënë se ka probleme me zemër.
“Kur më tha se nuk bën më shku në morg mendova se Naimi ka telefonuar në morg, por që pas ngjarjes kur kam shku në morg për me marrë dokumentacionin e motrës, aty një punonjëse më tha se në mëngjes herët Naimi së bashku me Kushtrimin kanë shku në morg dhe kanë insistu që me e marrë trupin e Liridonës”, rrëfen Leonard Ademaj.
“Nga momenti që ne i kemi pasë fëmijët deri të nesërmen diku rreth orës 16:00 asnjëherë Naimi nuk ka pyetur për fëmijët dhe as nuk ka ardhur për t’i takuar”, shton ai, raporton rtv21.
Pas varrimit të Liridonës, Ademaj thotë se ka takuar fëmijët në Suedi, të cilët i treguan për natën kritike.
“Hajni e ka shti dorën edhe i’a ka bo mamit bam. Kjo është deklarata e djalit të madh”, thotë Leonard Ademaj.
Leonard Ademaj po merret në pyetje nga avokati i palës së dëmtuar Leutrim Syla. Trupi gjykues tha se avokati ka të drejtë ta pyes Leonardin drejtpërdrejt meqenëse është në cilësinë e dëshmitarit.
