“Enzo Fernández i pesti, Kimmich i katërti, Kroos i treti, Rodri i dyti, unë i pari”. Një vit më parë, Hakan Çalhanoğlu u vetëshpall si mesfushori më i mirë në botë, përpara një audience mjaft interesante. 12 muaj më vonë, kemi një fitues më shumë të “Topit të Artë”, spanjollin, i cili fitoi sfidën personale ndaj Çalhanoğlu në finalen e Champions-it në qershor 2023 dhe më pas udhëhoqi Spanjën drejt triumfit në “Euro 2024”.

Po kështu kemi një gjerman më pak, atë që ishte në vend të tretë, Kroos, i cili është tërhequr nga futbolli. Me Kimmich, sfida mbetet e hapur mes “Allianz Arena” dhe “San Siro”, ndërsa për Enzo Fernández ende pritet një përballje, që mund të jetë vendimtare.

Në çdo rast, me golin e fundit në derbin e Kupës së Italisë, Çalhanoğlu arriti për të dytin sezon radhazi shifrat dyshifrore. Dhe kjo u arrit me dy muaj të mbetur ende për t’u luajtur. Ka shënuar më pak në Serie A krahasuar me vitet e kaluara, por mesatarja është vërtet interesante, edhe sepse është zbukuruar me 4 asiste.

Kur gjykonte zgjedhjen e tij, turku thoshte: “Golat dhe ato që bëj unë, të tjerët nuk i bëjnë dot. Nëse i hidhni një sy statistikave, unë nuk shënoj kurrë nga afër, por nga 25-30 metra, ose me goditje dënimi. Janë gjëra të vështira.

Pastaj, të gjithë dinë të menaxhojnë, por të bësh pasime prej 5 metrash nuk më pëlqen. Unë kërkoj gjithmonë pasimin final, për të rritur mundësinë e shënimit ose për të dhënë një top të gjatë. Ta japësh topin djathtas ose majtas për mua nuk ka vlerë”.

Edhe në Kupën e Italisë, kundër Milanit, tregoi se është vendimtar. Dhe ndoshta dikush te kuqezinjtë, në verën e vitit 2021, është penduar që nuk i ofroi një rrogë më të lartë atij që kishte shënuar 32 gola në 4 sezone. Me Interin ka bërë edhe më mirë: ka arritur në 37 gola dhe numërimi ende nuk ka mbaruar.

The post Hakan Çalhanoğlu, a është më i miri në botë në rolin e tij? Me siguri, më produktivi… appeared first on Telesport.