Një ditë pas zbatimit të fazës së parë të marrëveshjes së armëpushimit falë të cilës 20 pengje të gjallë izraelitë dhe qindra të burgosur arritën mes emocionesh të mëdha të bashkohen me familjet e tyre, pasiguria po rrethon hapat e mëtejshëm për Gazën.

Ndërsa të afërmit e pengjeve të liruar të hënën gëzojnë, ata që presin eshtrat e familjarëve të tyre të vdekur, shprehën zemërim që vetëm 4 prej 28 kufomave u dorëzuan gjatë shkëmbimit. Marrëveshja e armëpushimit, e publikuar nga media izraelite, duket se ka pranuar se Hamasi dhe fraksionet e tjera palestineze mund të mos jenë të aftë ta gjejnë brenda afatit të caktuar se ku janë të gjitha eshtrat.

Testet mjeko-ligjore po kryhen tani për të kontrolluar identitetin e katër trupave që Hamasi i ktheu Izraelit. Familjet e disa pengjeve të ndjera kanë akuzuar qeverinë e Izraelit për tradhti, sepse nuk ka bërë më shumë për të sjellë të dashurit e tyre mbrapsht, në mënyrë që t`i rezervohet të paktën një varrim i denjë. Ndërsa pengjet e liruara të Izraelit i nënshtrohen kontrolleve mjekësore, media izraelite po raporton për vuajtjet e tyre, duke përfshirë urinë dhe torturën. Një burrë thuhet të jetë mbajtur për dy vjet në izolim, raporton BBC. Edhe në krahun tjetër, shumë nga qindra palestinezët e liruar pasi ishin mbajtur në burg pa akuza nga Izraeli gjatë luftës, pretendojnë tortura dhe keqtrajtime. Disa prej atyre që prisnin ribashkimin me familjet, zbuluan se të afërmit e tyre janë vrarë. Hamasi sakaq po vazhdon të rivendosë autoritetin e tij në Gaza, dhe pamje që kanë qarkulluar në rrjetet sociale treguan persona të armatosur që ekzekutojnë burra të lidhur dhe me sy të lidhur nga bandat rivale në rrugë, duke i akuzuar ata për bashkëpunim me Izraelin.

Presidenti amerikan Donald Trump u largua nga rajoni pasi nënshkroi planin e tij të paqes në samitin e Gazës në Egjipt. Por detajet kryesore ende nuk janë përcaktuar dhe do të duhet të negociohen për të vazhduar planin e tij, dhe për të parandaluar një shpërthim të ri të konfliktit e rifillimin e luftimeve.

Pavarësisht se Trumpi u shfaq mjaft optimist dhe e cilësoi këtë si një “ditë të jashtëzakonshme” për Lindjen e Mesme, duket se ka ende punë për të çimentuar marrëveshjen e tij të armëpushimit, dhe nuk ka një përgjigje të qartë për pyetjen nëse plani i tij do të jetë vërtet një rrugë drejt paqes së qëndrueshme.

The post Hamasi nuk dorëzon të vdekurit, zemërim në Izrael për moszbatimin e marrëveshjes appeared first on Alsat.