Te Ferrari ka ende konfuzion pas garës së fundit në Meksikë dhe polemikave mes pilotëve të saj, të nisur nga incidenti në startin e garës. Lewis Hamilton, e kishte kritikuar Charles Leclerc, pas garës, duke vënë në dukje: “Ai është 28 vjeç, ndaj nuk mendoj se është çështje moshe, por mentaliteti”.

Sot, britaniku e ka trajtuar sërish tensionin e brendshëm me shokun e tij të skuadrës përmes rrjeteve sociale. Në Instagram, shtatë herë kampioni i botës ka rikthyer vëmendjen te Ferrari, por pa e përmendur shprehimisht Leclerc.

Ai tha se kontakti në pistë shkatërroi shanset e “kokëkuqes” për fitore në Meksikë dhe se duele të tilla nuk duhet të ndodhin në kurriz të përpjekjes kolektive të skuadrës. Hamilton e përshkroi përfundimin e fundjavës si jashtëzakonisht zhgënjyes, duke vënë në pah përkushtimin e madh të inxhinierëve dhe mekanikëve.

Mesazhi i tij bën thirrje për ndershmëri intelektuale në të gjithë skuadrën, duke inkurajuar këdo që të mësojë nga gabimet e bëra, me qëllim mbrojtjen e interesit të përbashkët. Ai shfrytëzoi rastin për të rikonfirmuar rolin e tij kyç në të ardhmen e skuadrës nga Maranello.

Pavarësisht një kontrate që zgjat deri në vitin 2027 dhe zërave për një largim të mundshëm të parakohshëm, piloti i makinës me numër 44 ishte i qartë: “Jam ende në fillim të rrugëtimit tim me këtë skuadër dhe kemi ende shumë për të ndërtuar së bashku”.

“Fundjava jonë në Meksikë ishte plot sfida. U përballëm me shumë situata të ndërlikuara, por mekanikët dhe inxhinierët tanë bënë një punë të jashtëzakonshme. Jemi rritur shumë së bashku këtë vit dhe ky përparim ka kërkuar një përpjekje të madhe nga të gjithë”, shtoi britaniku.

“Kjo është arsyeja pse humbja e asaj që mund të kishte qenë një fitore dhemb kaq shumë. Duhet të shfrytëzojmë çdo mundësi që na shfaqet, ndaj është vërtet zhgënjyese. Nuk ka kuptim të pretendojmë të kundërtën. E di se sa shumë punë duhet për të na sjellë në një pozicion ku kemi një mundësi të tillë”, tha Hamilton.

“I njoh standardet që ekipi i vendos vetes, ato që unë i vendos vetes, si dhe standardet që presin tifozët. Të gjithë meritojnë të na shohin në formën tonë më të mirë dhe të na shohin duke fituar. Të luftosh është e nevojshme, por kur ajo betejë përfundon duke dëmtuar ekipin, duhet të jemi të sinqertë për këtë dhe të mësojmë nga gabimet tona”, shtoi britaniku.

Më tej, ai sqaron: “Mund ta shtyjmë njëri-tjetrin deri në kufi, duke respektuar gjithsesi përgjegjësitë që kemi ndaj të gjithë njerëzve që bëjnë të mundur praninë tonë në pistë.

“Unë do të vazhdoj të jap gjithçka që kam. Besimi im te ky ekip mbetet i palëkundur, ashtu siç mbetet edhe përgjegjësia ime për të ndihmuar në rregullimin e gjërave”.

The post Hamilton ngre sërish zërin ndaj Leclerc: Mjaft luftuam mes nesh, të mendojmë për të mirën e Ferrari appeared first on Telesport.