Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka reaguar pas zhvillimeve të mbrëmshme në Drenicë. Ai ka thënë se me urdhër të Qeverisë në detyrë u dërgua njësi speciale atje “me prapavija presioni dhe demonstrimi force”.

Hamza ka kërkuar vetëpërmbajtje nga votuesit e PDK-së në Drenicë, teksa e ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për “politikë të përçarjes”.

“Mbrëmë pamë skena aspak të mira, ku Policia e Kosovës, me urdhër të Qeverisë, dërgoi njësi speciale në Drenicë me prapavija presioni dhe demonstrimi force. E porosis kryeministrin në detyrë të ndërpresë propagandën, të ndërpresë urrejtjen dhe, para së gjithash, t’i ndalë menjëherë provokimet dhe keqpërdorimin e shtetit për skenarë të tij partiakë. Ai nuk mund ta parandalojë braktisjen nga votuesit me skenarë të rrezikshëm përçarës. Ndalu, Albin”, ka shkruar Hamza të premten.