
Hamza Nuhiu nga FRASH ka reaguar ashpër ndaj diskursit politik që, sipas tij, vazhdon të justifikojë dështimet aktuale duke fajësuar të kaluarën, në vend që të ofrojë rezultate konkrete në të tashmen.
Në reagimin e tij, Nuhiu thekson se ndryshimi i vërtetë nuk shpallet me fjalë, por dëshmohet me veprime, duke nënvizuar se besimi i qytetarëve nuk fitohet përmes retorikës politike, por përmes punës reale dhe përgjegjësisë institucionale.
“Nuk fitohet besimi duke fajësuar të shkuarën, por duke ndërtuar të tashmen. Nëse dikush ka ardhur si ndryshim, atëherë duhet të sjellë ndryshim real”, shprehet Nuhiu.
Ai kritikon vazhdimin e narrativës së “20 viteve të kaluara”, duke e cilësuar atë si alibi politike dhe jo si vizion për të ardhmen. Sipas tij, partitë që pretendojnë të jenë ndryshe duhet ta dëshmojnë këtë me veprime konkrete dhe jo me deklarata.
“Lëreni retorikën e konsumuar dhe tregoni se nuk jeni si ASH, BDI apo PDSH – nëse vërtet keni takat”, thekson ai.
Në fund, Nuhiu nënvizon se qytetarët nuk kërkojnë nënshtrim politik, por partneritet dhe dinjitet, duke shtuar se mungesa e këtyre vlerave po bëhet gjithnjë e më e dukshme.
“Populli nuk kërkon nënshtrim, por partneritet dhe dinjitet. E kjo, për fat të keq, nuk po dëshmohet”, përfundon reagimi i tij.
