Ish kandidati i VLEN-it për Komunën e Bërvenicës, Haqim Ramadani, ka bërë thirrje për t’i dhënë fund përçarjeve dhe etiketimeve politike në mesin e banorëve të komunës.

Ramadani, përmes një reagimi publik, ka thënë se pas përfundimit të zgjedhjeve të vitit 2025 janë bërë akuza, shpifje dhe përhapur dezinformata me qëllim të përçarjes së banorëve të Bërvenicës dhe fshatrave përreth.

“Nuk më vjen keq që jam kritikuar. Kam qenë pjesë e garës dhe e pranoj çdo kritikë apo lëvdatë. Por nuk pranoj që fshatrat të ndahen në ‘patriotë’ e ‘tradhtarë’, apo qytetarët të etiketohen për bindjet e tyre politike”, ka shkruar Ramadani.

Ai ka përmendur edhe rezultatin prej 4.224 votash, duke theksuar se mbështetja ka ardhur nga Gurgurnica, Miletina, Çellopeku, Tenova, Radiovca, Bërvenica, Sellarca, Bllaca dhe pjesë të tjera të komunës.

Sipas tij, gara zgjedhore tashmë ka përfunduar dhe rezultati duhet respektuar.

“Sot jemi përballë një procesi të ri. Në rrethanat që kemi, nuk kemi nevojë për akuza, etiketime dhe përçarje. Kemi nevojë për unitet”, thekson Ramadani.

Ai thotë se gjatë angazhimit të tij ka shërbyer për çdo banor të Bërvenicës pa dallim përkatësie etnike, fetare apo politike.

Në fund, Ramadani ka bërë thirrje që e kaluara të lihet pas dhe vëmendja të përqendrohet te puna, shërbimet dhe mirëqenia e qytetarëve.

“Le ta lëmë të kaluarën pas. Le ta bashkojmë Komunën. Le të flasim për punë, shërbime dhe mirëqenie. Komuna ka nevojë për unitet, jo për përçarje. Çdokush ka të drejtë të votojë për programin zgjedhor dhe për kandidatin e vet të preferuar”, ka përfunduar Ramadani./TS