Albulena Haxhiu në fjalimin e saj pasi u zgjodh kryetare e e Kuvendit përmendi edhe gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale në Hagë, shkruan TV21. Haxhiu tha se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe se pret që ish krerët e UÇK-së sa më shpejtë të kthehen në Kosovë, ndërsa theksoi se për çështjet që kanë interes kombëtar, të gjithë subjektet politike duhet të qëndrojnë së bashku.

“Ne sot debatojmë lirshëm në këtë sallë falë sakrificës së madhe të popullit tonë për liri, përfshirë luftën e UÇK-së dhe kontributin e madh të grave dhe burrave që dhanë gjithçka për vendin. E sot këtu, në këtë pasdite vijmë pasi gjatë tërë ditës kishim seancën gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Historia e e popullit shqiptar të Kosovës është e qartë dhe është e drejtë. Lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë për çlirim. Dihet kush ka qenë agresori, dihet kush ka bërë krime në vendin tonë. Ato janë të regjistruara dhe të dëshmuara nga bota mbarë. Ato krime janë kryer nga Serbia, e cila kurrë asnjëherë nuk u përball me drejtësinë në mënyrë serioze , përkundrazi kriminelët e luftës u ricikluan në pushtet dhe u amnistuan. Ne presim që ish-krerët e UÇK-së të kthehen sa më parë në vend dhe tek familjet e tyre dhe që këto orvatje të Prokurorisë të marrin fund sa më parë. Për këtë duhet të jemi bashkë. Prandaj të dashur deputetë. Në veçanti për çështjet që prekin interesin kombëtar, duhet të flasim me zë të qartë dhe të kemi qëndrim të përbashkët, me zotimin se kjo Republikë ka institucione që i dalin zot edhe në momentet më të vështira”, tha Haxhiu.