Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka thënë se për çështjen e zgjedhjes së presidentit duhet të ketë diskutime serioze,
Ajo pohoi se nuk e ka mbyllur seancën e 5 marsit, por vetëm e ka ndërprerë .
“Unë mendoj që kjo çështje i takon niveleve dhe grupeve parlamentare, diskutimeve që do të bëhen në këtë drejtim. Në anën tjetër, në ditën kur ne kemi pasur përpjekje për ta zgjedhur presidentin e vendit, pra me 5 mars konkretisht, nëse i rikthehemi asaj seance, unë kam thënë në fund që seanca do të vazhdojë kur të plotësohen kushtet për këtë. Pra unë nuk e kam mbyllur seancën, unë e kam ndërprerë atë, sepse natyrisht që ka dallim edhe nëse bazohemi në aktgjykimet e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese. Prandaj seanca do të vazhdojë në momentin që do të krijohen kushtet. Deri atëherë nevojiten diskutime serioze, pra jo në aspekte të tilla procedurale, por diskutime serioze nëse duam apo nuk duam përnjëmend ta zgjedhim presidentin. Për faktin se është e rëndësishme që ajo që thuhet në takime të mbyllura të jetë qëndrim real dhe jo vetëm diskutim sa për të thënë. Prandaj në këtë drejtim i ftoj të gjitha subjektet politike që të bëjnë përpjekje maksimale. Kryetari i Vetëvendosjes, kryeministri Kurti ka kërkuar takime me subjektet, ju e dini sepse kjo është bërë publike. Natyrisht që kërkesat për takime do të vazhdojnë, por në anën tjetër nevojitet edhe vullneti i palës tjetër. Grupi parlamentar i Vetëvendosjes më së shumti i ka 66 vota, por kjo është e pamjaftueshme për ta zgjedhur presidentin e vendit sepse nevojiten 80 vota në kuti të paktën në dy raundet e para”, tha Haxhiu para medieve.
