Pete Hegseth, sekretari amerikan i Mbrojtjes ka folur sot në Pentagon duke sjellë një përditësim mbi konfliktin me Iranin. Ai deklaroi se Amerika po fiton dhe sapo ka filluar të luftojë teksa preku shumë pika në fjalimin e tij.

“Qëndroj para jush sot me një mesazh të qartë për operacionin Epic Fury,” tha Hegseth. “Amerika po fiton. Në mënyrë vendimtare, shkatërruese dhe pa mëshirë”.

Hegseth vazhdoi duke thënë se brenda më pak se një jave, “dy forcat ajrore më të fuqishme në botë”, SHBA dhe Izraeli “do të kenë kontroll të plotë mbi qiellin e Iranit, hapësirë ajrore të pakontestuar”.

“Do të fluturojmë gjithë ditën, gjithë natën, duke gjetur, fiksuar dhe shkatërruar raketat dhe bazën industriale të mbrojtjes së ushtrisë iraniane”, tha ai.

“Duke identifikuar dhe neutralizuar udhëheqësit e tyre dhe komandantët ushtarakë. Do të fluturojmë mbi Teheran, mbi Iran, mbi kryeqytetin e tyre, mbi IRGC (Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike). Udhëheqësit iranianë do të shohin lart dhe do të shohin vetëm fuqinë ajrore amerikane dhe izraelite. Çdo minutë, çdo ditë, derisa ne të vendosim se ka përfunduar. Dhe Irani nuk do të mund të bëjë asgjë për këtë.”

“Ne po luajmë për fitore”, tha Hegseth. “Forcat tona kanë autoritet maksimal, të dhënë personalisht nga presidenti dhe nga unë. Rregullat tona të angazhimit janë të guximshme, të sakta dhe të dizajnuara për të çliruar fuqinë amerikane, jo për ta kufizuar atë.”

Ai shtoi: “Kjo nuk ishte menduar kurrë të ishte një betejë e barabartë dhe nuk është e tillë. Ne po i godasim ndërsa janë të dobët, pikërisht ashtu siç duhet të jetë.”

Hegseth konfirmoi se një nëndetëse amerikane ka fundosur një anije luftarake iraniane në Oqeanin Indian, duke deklaruar se marina iraniane “ndodhet në fund të Gjirit Persik” dhe është “joefektive, e shkatërruar, e zhdukur zgjidhni mbiemrin, ajo nuk ekziston më”.

Hegseth lavdëroi Izraelin si një “partner të palëkundur” dhe “aleat të aftë”.

“Ne sapo kemi filluar të luftojmë. Amerika lufton për të fituar dhe në Operacionin Epic Fury, po fitojmë”.

I pyetur për sulmin vdekjeprurës ndaj shkollës së vajzave Shajareh Tayyebeh në Minab, në jug të Iranit, Hegseth tha se SHBA po e heton ngjarjen, por nuk dha detaje të tjera.

“Gjithçka që mund të them është se po e hetojmë. Ne, sigurisht, nuk shënjestrojmë kurrë objektiva civile.”

Sipas mediave shtetërore iraniane, deri në 168 persona u vranë dhe 95 u plagosën, shifra që nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.

Hegseth tha se SHBA është në gjendje të vazhdojë operacionet ushtarake për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

“Armiku nuk mund të lëshojë më të njëjtin volum raketash si më parë, as afër. Ne mund ta mbajmë këtë luftë për aq kohë sa të jetë e nevojshme.”

Ai shtoi: “Irani nuk mund të na tejkalojë në kohë. Ne vendosim ritmin dhe intensitetin e kësaj lufte.”

I pyetur për Rusinë dhe Kinën, Hegseth tha: “Nuk kam një mesazh për ta dhe ata nuk janë realisht faktor këtu. Çështja jonë nuk është me ta”.

Ai theksoi se fokusi i SHBA-së është ndalimi i ambicieve bërthamore të Iranit.

Rusia dhe Kina kanë kritikuar sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit, me Moskën që ka deklaruar se nuk ka parë prova që Teherani po zhvillon armë bërthamore, ndërsa Pekini ka bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të sulmeve.