Opinioni ende nuk ka informata konkrete dhe përgjigje nga institucionet kompetente se përse askush nga funksionarët aktual që kanë qenë në detyrë dhe funksion kur ndodhi tragjedia e tmerrshme nuk janë të përfshirë në hetimet.

Akuza vjen nga LSDM-ja nga ku shtrojnë pyetjen se deri ku janë hetimet dhe deri ku janë paralajmërimet për zgjerimin e hetimeve me funksionarë dhe zyrtar aktual.

LSDM

“Heshtja e institucioneve është shqetësuese. Hetimet duhet të përgjigjen se kush është përgjegjës për zjarrin që shpërtheu natën e kobshme që mori aq jetë njerëzish? Kush është përgjegjës për lëshimet në MPB, Byronë për Siguri Publike, Inspektoratin Shtetëror të Tregut dhe DAP-it, pak para dhe gjatë ngjarjes? Përgjigje dhe përgjegjësi në vend të selektivitetit”

Ndërkohë derisa nga Qeveria shprehen të gatshëm për propozime që do të ndihmonin për zbardhjen e rastit të Koçanës, por se në adresë të tyre nuk ka mbërritur propozimi I LSDM-së për takim liderësh dhe derisa nga koalicioni VLEN potencojnë se kreu socialdemokrat Venko Filipçe, s`ka kredibilitet për të thirrë takim liderësh, një reagim vinë edhe nga Skender Rexhepi I Frontit Evropian.

Sipas tij, takimi i liderëve paraqet farsë për shpëtim të qeverisë.

“Takimi i liderëve është thjesht një farsë e orkestruar për të shpëtuar Qeverinë nga përgjegjësia politike për tragjedinë në Koçan. Një takim i tillë do të kishte kuptim vetëm nëse Qeveria do të jepte dorëheqje, dhe më pas liderët do të mblidheshin për të gjetur zgjidhje politike për vendin”

– shkruan në Facebook, Skender Rexhepi.

Kreu I LSDM-së, Venko Filipçe, në mbrëmjen e donatorëve për tragjedinë në Koçanë, paralajmëroi se javën e ardhshme në Kuvend do t`i thërrasë për takim liderët e partive më të mëdha politike ku do t`ua prezantojë planin e tij, që sipas Filipçes, është obligim për ta bërë për vendin, pasi mënyrat konvencionale për udhëheqjen e luftës politike nuk japin rezultate të shpejta.