Christopher Hill, ish-diplomati amerikan në ditën e tretë të dëshmisë së tij ën Dhomat e Specializuara të Hagës deklaroi para gjykatësve dhe prokurorëve se nuk kishte dëgjuar ndonjëherë se drejtoria politike ishte pjesë e shtabit të përgjithshëm të UÇK-së.

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, ai tha se shtabi i përgjithshëm ishte më shumë organ ushtarak dhe përbëhej prej komandantëve lokalë, ndërsa drejtoria politike më shumë një organ që merrej me politikën e jashtme, atje ku sipas tij bënte pjesë edhe ish presidenti Hashim Thaçi.

“Ideja që drejtoria politike ka ndonjë rol brenda shtabit të përgjithshëm ishte diçka që personat në drejtori, përfshirë Adem Demaçin, po e përdornin për të treguar se kishin përgjegjësi. Për ne kjo tregonte se bëheshin shumë përpjekje në kuptimin që personat donin ta konsolidonin pozicionin e tyre dhe të ishin më të fortë se disa të tjerë. Nuk ishte një grup personazh i organizuar mirë që të kishin hierarki komanduese, kjo ishte përshtypja jonë”, nënvizoi ish-diplomati Hill.

Christopher Hill u pyet pse ish-udhëheqësi i Serbisë, Sllobodan Millosheviç, përmendi me emër Hashim Thaçit gjatë takimit të tyre.

“Millosheviç mendonte se ne po largoheshim nga Rugova dhe këtë e konsideronte gabim i rëndë sepse kjo do ta detyronte atë të merrej me UÇK-në, që kishte qëndrim të ashpër. Rugova asnjëherë nuk kërkoi më pak se pavarësia, por pranoi se nuk ishte i interesuar për luftën e armatosur. Millosheviç ishte i shqetësuar se “ne do ta mënjanonim Rugovën dhe të zgjidhnim UÇK-në si partneren tonë. Pse shqetësohej për këtë, nuk jam i sigurt”, u shpreh Hill.

I dërguari i SHBA-së për Kosovën në kohën e luftës, Christopher Hill, u pyet për procesin e Rambujesë. Ai tha se gjatë bisedimeve ai ishte optimist se Rambujeja do të funksiononte.

Ai tha se morën sinjale nga shtabi i përgjithshëm i UÇK-së se e përkrahnin marrëveshjen, por tregoi se kishin shqetësime se çfarë do të ndodhte në Serbi pas saj.

“Shqiptarët u kthyen në Kosovë për të gjetur paqe, pas Rambujesë serbët u kthyen në Serbi për t’u përgatitur për luftë”, tha ai.

Sipas tij, ky proces hodhi poshtë idenë e Sllobodan Millosheviçit që “shqiptarët nuk pajtohen për asgjë”.

Trupi gjykues e pyeti Hillin për Adem Demaçin. Sipas diplomatit amerikan në pension, Demaçi ishte një person që kishte qëndrime të ashpra ndaj Serbisë dhe “një lloj mllefi” pasi kishte qenë i burgosur. Për shkak të këtij qëndrimi SHBA nuk kishin interesa ta promovonin si figurë.

Pas diplomatit Christopher Hill, radha është për dëshminë e gjeneralit Wesley Clark.

The post Hill përfundon dëshminë e tij në Hagë: Thaçi s’mund t’i lëvizte gjërat brenda UÇK-së appeared first on Alsat.