Historia e harruar: Teleferiku që lidhte Tetovën me Kodrën e Diellit

Pak kush e di sot se qyteti i Tetova dikur ishte i lidhur drejtpërdrejt me qendrën turistike “Kodra e Diellit” përmes një teleferiku, një projekt që në atë kohë konsiderohej ndër më modernët në rajon dhe që shërbente si një ndër atraksionet kryesore turistike të zonës.

Ndërtimi i teleferikut nisi në fillim të viteve 1960, në një kohë kur zhvillimi i turizmit dimëror në Malet e Sharrit ishte një nga prioritetet kryesore të autoriteteve të atëhershme.

Projekti u realizua në dy etapa. Pjesa e parë u ndërtua në vitin 1962 dhe lidhte Tetovën me fshatin Lisec. Më pas, në vitin 1965 u përfundua edhe segmenti i dytë që lidhte Lisecin me Kodrën e Diellit, duke e bërë kështu të mundur transportin e drejtpërdrejtë të turistëve nga qyteti drejt qendrës së skijimit.

Teleferiku kishte rreth 100 kabina dhe një kapacitet transporti prej afërsisht 400 personash.

Udhëtimi nga Tetova deri në Kodrën e Diellit zgjaste rreth 40 minuta, duke ofruar për vizitorët një panoramë të veçantë mbi qytetin dhe malet e Sharrit.

Sipas të dhënave të asaj kohe, vetëm gjatë vitit të parë të funksionimit teleferiku transportoi mbi 100 mijë udhëtarë, gjë që dëshmon për interesimin e madh që ekzistonte për këtë qendër turistike.

Në vitet 1970 dhe 1980, “Kodra e Diellit” konsiderohej një nga destinacionet më të njohura të skijimit në ish-Jugosllavi.

Turistë nga vende të ndryshme të rajonit dhe Evropës vizitonin këtë qendër dimërore, ndërsa teleferiku ishte një nga mënyrat më praktike për të arritur në zonën turistike.

Megjithatë, me kalimin e viteve dhe për shkak të mungesës së investimeve dhe mirëmbajtjes, teleferiku filloi të degradojë.

Në fund të viteve 1990 dhe në fillim të viteve 2000 ai doli plotësisht jashtë funksionit dhe nuk u rikthye më në përdorim.

Sot nga ky projekt kanë mbetur vetëm disa gjurmë infrastrukturore dhe kujtimet e një periudhe kur Tetova dhe “Kodra e Diellit” ishin të lidhura përmes një prej projekteve më ambicioze turistike të kohës.

Në vitet e fundit, herë pas here janë ngritur ide për rikthimin e një teleferiku të ri që do të lidhte përsëri Tetovën me Kodrën e Diellit, si një mënyrë për të zhvilluar turizmin malor dhe për të lehtësuar qasjen drejt kësaj qendre të njohur skijimi./FaktiDitor.