Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) mirëpret vendimin e sotëm të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, i cili i jep Shqipërisë të drejtën për të qenë një nga vendet mikpritëse të Kampionatit Europian U-21 të UEFA-s në vitin 2027. Vendi tjetër bashkëorgfanizator do të jetë Serbia.

Ky turne, që do të zhvillohet në qershor të vitit 2027, do të sjellë 16 ekipe me futbollistët më të mirë dhe më premtues nga kombëtaret kualifikuese, duke përfshirë shumë lojtarë që tashmë luajnë në ligat më të mira europiane. Si një nga vendet organizatore, kjo do të jetë gjithashtu mundësia e parë që gjenerata e re e futbollistëve shqiptarë nën 21 vjeç të luajë në një turne madhor ndërkombëtar.

Presidenti i FSHF-së, z. Armand Duka, tha: “Ky është një vendim shumë i rëndësishëm nga UEFA, sepse Kampionati Europian U-21 i vitit 2027 do të jetë më shumë sesa një turne futbolli. Ai do të shërbejë si një katalizator për të thyer barrierat, për të forcuar mirëkuptimin e ndërsjellë dhe për të krijuar një të ardhme më pozitive për popullin e Shqipërisë dhe të Serbisë. Do të tregojë gjithashtu se çfarë mund të arrihet kur njerëzit fokusohen në një objektiv të përbashkët, të frymëzuar nga fuqia e futbollit”.

Duka shtoi: “Ky do të jetë turneu më i madh sportiv në historinë e Shqipërisë. Për këtë arsye, ai na ofron një mundësi të shkëlqyer për të modernizuar stadiumet dhe infrastrukturën e futbollit në të gjithë vendin me mbështetjen e UEFA-s. Gjithashtu, do të krijojë një trashëgimi të qëndrueshme që do të frymëzojë gjeneratat e ardhshme të lojtarëve, vullnetarëve dhe tifozëve të futbollit në të dy vendet”.

Të dyja kombet do të presin secili nga tetë ekipe pjesëmarrëse në turne, me ndeshjet e grupeve që do të zhvillohen në vendin përkatës mikpritës, deri në finalen e madhe, e cila do të luhet në “Arenën Kombëtare” të Tiranës.

“Arena Kombëtare” ka një kapacitet prej 22.000 spektatorësh dhe ishte skena e finales së “Conference League” në vitin 2022. Ndeshjet e tjera të Kampionatit Europian U-21 të vitit 2027, që do të organizohen në Shqipëri, do të zhvillohen në stadiumin “Loro Boriçi”, “Elbasan Arena” dhe “Arena Egnatia”.

The post Historike! Shqipëria zgjidhet si një nga vendet mikpritëse të Europianit U-21 appeared first on Telesport.