Holanda deklaroi dje se do të bëhet vendi i parë anëtar i NATO-s që do të blejë sisteme të mbrojtjes ajrore nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’ia dërguar Ukrainës.

“Ukrainës i duhet tani më shumë mbrojtje ajrore dhe municion”, deklaroi ministri holandez i Mbrojtjes, Ruben Brekelmans, në një postim në platformën “X”.

“Si aleati i parë i NATO-s, Holanda do të dërgojë një pako armësh amerikane në vlerë prej 500 milionë eurosh (rreth 578 milionë dollarë), duke përfshirë pjesë rezervë dhe raketa ‘Patriot’. Kjo do ta ndihmojë Ukrainën të mbrohet vetë dhe të mbrojë pjesën tjetër të Evropës nga agresioni rus”, shtoi ai.

Në korrik, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se do të miratonte shitjen e sistemeve raketore “Patriot” vendeve evropiane anëtare të NATO-s, me qëllim që këto sisteme t’i dorëzohen Ukrainës.

“Holanda është vendi i parë që ndjek këtë marrëveshje për armë mes NATO-s dhe SHBA-së, e cila përfshin blerjen e sistemeve amerikane të mbrojtjes ajrore për Ukrainën”, shkroi kryeministri holandez, Dick Schoof, në “X”.

“Këto armë janë dëshpërimisht të nevojshme. Ukraina po lufton çdo ditë për t’u mbrojtur nga agresioni rus, përfshirë edhe sulmet masive me dronë. Në të njëjtën kohë, Ukraina po lufton për lirinë dhe sigurinë e gjithë Evropës”, shtoi ai.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin Schoof të martën, u shpreh se është “sinqerisht mirënjohës Holandës për kontributin e tyre të rëndësishëm në forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës”.

“Pakoja, e cila përfshin raketa ‘Patriot’ amerikane, vlen 500 milionë euro. Është hapi i parë i këtij lloji mes vendeve të NATO-s dhe vjen në një kohë kur Rusia po përpiqet të intensifikojë sulmet e saj. Kjo do të ndihmojë në mënyrë të ndjeshme për të mbrojtur jetët e popullit tonë!”, deklaroi Zelensky.

Ndërkohë, të premten, ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, njoftoi se Berlini do t’i dërgojë Ukrainës lançues të raketave “Patriot” në ditët në vijim. Ai shtoi se komponentë shtesë të sistemit do të dorëzohen brenda dy deri në tre muajt e ardhshëm, me qëllim fuqizimin e mëtejshëm të mbrojtjes ajrore të Ukrainës me bateri të reja “Patriot”.