
Ministri i ekologjisë Muhamet Hoxha pa përgjigje konkrete se kur do të pastrohen deponitë ilegale në vend, siç është ajo e Kërçovës, Haraçinës apo deponia në Komunën e Tearcës. Sipas Hoxhës, largimi i këtyre deponive ilegale do të ndodh pas ndërtimit të qendrave rajonale për grumbullimin e deponive, siç është ajo e Drisllës, apo Rusinoja.
“Tashmë në fazën e parë të realizimit të projektit për ndërtimin e Qendrave Rajonale për grumbullimin e mbeturinave, njëra nga to qendra është edhe kjo këtu në Rusino ku fillojmë fazën e parë të realizimit, pra sigurimit të pajisjeve apo mekanizimit që do jetë në përdorim për Rusinon por edhe komunat e këtij rajoni”, deklaroi Muhamet Hoxha. Ministër i Ekologjisë.
Hoxha sot po ashtu bëri të ditur se deponia rajonale Rusino, edhe pse ishte e planifikuar që të largohet nga vendi aktual shkaku i ndotjes së ujit por edhe afërsisë me qytetin e Gostivarit, e njëjta nuk do të largohet nga aty, por do të investohet në pajisjen dhe modernizimin e saj. Hoxha foli edhe për statusin juridik të deponisë Drislla, e cila, sipas tij, do të vazhdoj të mbetet në kompetencë të qytetit të Shkupit. /Alsat.mk
