Gazetar: Zekirija Haxhiu
Asnjë nga institucionet të cilat u përfshinë në hulumtimin e Qendrës për Komunikime Qytetare, e për të cilat dyshohet të kenë keqpërdorur procedurat e furnizimeve, nuk e pranojnë fajin. Nga Ministria e Punëve të Jashtme e cila dyshohet se ka lidhur marrëveshje dhe ka kryer pagesën para se të realizohen fluturimet, thonë se kanë dërguar kërkesë për ofertë te më shumë kompani, por nuk është paraqitur asnjë. Më tej shtojnë se në situata emergjente si ajo në muajin mars ku pati konflikt në lindjen e mesme, shteti është i detyruar të veprojë shpejtë dhe në mënyrë efikase dhe të mos lejojë procedura administrative të cilat mund të sjellin në rrezik sigurinë e qytetarëve.
“Asnjë nga kompanitë e ftuara nuk dorëzuan oferta. Madje pas përfundimit të pa suksesshëm të procedurës së parë dhe pas informatave të marra nga Ambasada në Abu Dabi se aviokompania “Fly Dubai” mund të sigurojë fluturime, u hap procedura me subjektin e vetëm që në rrethana të tilla mundej me siguri të realizojë shërbimin. Absolutisht janë të pa sakta pohimet se ministria ka zgjedhur operatorin ekonomik sipas vullnetit të saj. Përzgjedhja u bë në bazë të informatave të marra nga rrjeti diplomatiko-konsular dhe pas harxhimit të të gjitha mundësive të tjera reale për organizim të fluturimeve”, shprehen nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Qendra për Komunikime Qytetare konstatoi se MPB po prodhon pasaporta, letërnjoftime e patentë shoferë nga një tender i 21 viteve më parë. Megjithatë nga Ministria hedhin poshtë çdo konstatim nga analiza.
“Procedura për furnizim të formularëve realizohet në përputhje me rregulloret nga ligji për furnizime publike ku vërtetohen çmimet për furnizim të formularëve. Çmimet të cilat i paguajnë qytetarët për formularë janë të vërtetuara sipas vendimit të Qeverisë. Nuk bëhet fjalë për marrëveshje të fshehtë por për më tepër procedura të cilat përmbajnë segmente të ndryshme të klasifikuara”, përgjigjen nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Dyshimet për lëshime në procedura i hedhin poshtë edhe nga Komuna e Çairit. Bëhet fjalë për pishinën e shkollës “Ismail Qemali” e cila sipas hulumtimit, është njoftuar se ka përfunduar në nëntor të 2025tës ndërsa në përdorim u lëshua gjashtë muaj më vonë.
“Punimet ndërtimore që janë objekt i kontratës për furnizim publik janë realizuar plotësisht në përputhje me dinamikën e paraparë dhe kushtet e përcaktuara në kontratë. Aktivitetet që kanë të bëjnë me kyçjen në rrjetin elektrik dhe atë të ujësjellësit, si dhe realizimin e testimeve dhe procedurave të caktuara për vënien e objektit në funksion të plotë, nuk janë pjesë e kontratës për furnizim publik për ndërtimin e pishinës. Këto aktivitete realizohen në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente dhe ndërmarrjet publike pas përfundimit të punimeve ndërtimore”, thonë nga komuna e Çairit.
Sipas hulumtimit, kompanisë “Eurovia” për pishinën dy herë i është vazhduar afati i ndërtimit dhe nuk i janë aktivizuar gjobat nga marrëveshja. Madje pas kësaj, e njëjta kompani ka aplikuar edhe në një thirrje për pishinë tjetër në kuadër të shkollës fillore “Adem Jashari” në Çair. /Alsat.mk
The post Hulumtimet e Qendrës për Komunikime, institucionet nuk ndjehen fajtore appeared first on Alsat.
