Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllime për ish-presidentin Hashim Thaçi dhe familjen e tij pas ndarjes nga jeta të babait të tij, Haxhi Thaçi.
“Humbja e babait është dhimbje e pamatshme, e cila lë boshllëk të pazëvendësueshëm tek më të dashurit. Kontributi dhe dashuria e tij për atdheun, shpresoj të shndërrohen në udhërrëfyes dhe kujtime krenarie për të gjithë ata që e njohën”, thuhet në njoftimin e presidencës në Facebook.
Ajo i ka shprehur ngushëllimet e saj të sinqerta ish-presidentit Thaçi, familjes, miqve dhe të afërmve të Haxhi Thaçit, duke theksuar se kujtimi për të do të jetë i përjetshëm.
Ndërkaq, edhe kryeparlamentari në detyrë Glauk Konjufca, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të Haxhi Thaçit, babait të ish-presidentit Hashim Thaçi.
Konjufca përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se me pikëllim ka pranuar lajmin për ndarjen nga jeta të Haxhi Thaçit.
Ai ka shtuar se Haxhi Thaçi do të jetë i pranishëm në kujtimet që ka lënë pas.
“Me pikëllim mora lajmin se u nda nga jeta Haxhi Thaçi, babai i ish-presidentit Hashim Thaçi. Ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të cilët humbën të dashurin e tyre! Qëndrojmë pranë tyre në këto momente dhimbjeje! Edhe pse Haxhi Thaçi nuk është më në këtë jetë, ai do të jetë i pranishëm në kujtimet që ka lënë pas, në zemrat e atyre që e patën pranë dhe ndanë jetën me të. U prehtë në paqe!”, ka shkruar Konjufca.
