Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për të Mitur, ka paraqitur propozim për shqiptimin e dënimit me burgim për të mitur ndaj një të mituri, i cili po akuzohet për përfshirje në vrasjen e zyrtarit policor Muhamed Lika në qytetin e Kaçanikut.
Vrasja e Likës ndodhi më 1 prill të këtij viti, rreth orës 23:00, në rrugën “Idriz Seferi”, në afërsi të banesës së viktimës. Hetimet kanë zbuluar se i mituri, në bashkëkryerje me persona të tjerë, kishte planifikuar dhe kryer me dashje vrasjen e zyrtarit policor, i cili po kthehej nga puna.
Sipas aktakuzës, i mituri e kishte ndjekur viktimën deri në hyrje të objektit banesor dhe më pas kishte hyrë brenda, ku e kishte qëlluar katër herë me armë zjarri të kalibrit 9.19 mm. Pas aktit, ai kishte vrapuar në drejtim të lokalit “Dukagjini”, ku e kishte pritur bashkëpandehuri R.M., me të cilin më pas ishin larguar nga vendi i ngjarjes.
Në raportin e autopsisë është konstatuar se shkaku i vdekjes së viktimës ka qenë plagët e marra nga predhat e armës së zjarrit.
