Transportues nga qytete të ndryshme të vendit, me rreth 20 kamionë, protestuan para Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup. Ata kërkojnë që shoferët profesionistë të trajtohen ndryshe nga turistët, pasi hyrja dhe qëndrimi në BE janë pjesë e punës së tyre.
Ata thonë se kanë përvoja negative në kufij, ndërsa disa prej tyre madje kanë përfunduar edhe në pranga, pasi u janë tejkaluar ditët e lejuara të qëndrimit në zonën Shengen, sipas rregullit prej 90 ditësh brenda një periudhe prej 180 ditësh.
Kërkojnë zgjidhje që do t’u mundësojë lëvizje më të lirë gjatë kryerjes së punës.
“Pra, kërkojmë vetëm të na japin ditë të lira, që të mund të lëvizim dhe ta kryejmë punën tonë. Ne nuk shkojmë për pushime, por për punë. Ne sjellim mallra në Maqedoni, që edhe të tjerët të kenë me çfarë të punojnë. Nëse ne ndalojmë, do të ndalet gjithçka, i gjithë shteti.”
Çfarë pasojash mund të ketë nëse nuk gjendet zgjidhje?
“Do të ketë pasoja për ekonominë, ashtu siç ndodh në çdo shtet të Ballkanit – ekonomi më të dobët, largime nga puna, gjithçka. Kamionët e mbajnë në jetë të gjithë sistemin.”
A do të ketë protesta të tjera?
“Ne, si kamionistë, nuk kemi paralajmëruar se do të vazhdojmë m e protesta. Por pas 15 shtatorit, hapi i ardhshëm do të jetë bllokadë e plotë e të gjitha pikave kufitare. Le të shohin se çfarë nënkuptojnë kamionët në praktikë. Nuk duam të arrijmë asgjë të keqe, vetëm duam t’u tregojmë se sa të rëndësishëm janë kamionët.”
Nga Ministria e Transportit thonë se i kuptojnë problemet e transportuesve dhe shtojnë se po bëjnë gjithçka që është në mundësitë e tyre për ta zgjidhur problemin.
“Po punohet për lidhjen e marrëveshjeve dypalëshe me vendet anëtare të zonës Shengen, pasi konsiderojmë se kjo është zgjidhja më e përshtatshme që Maqedonia ta zgjidhë në mënyrë të pavarur problemin e transportuesve. Marrëveshje të tilla tashmë janë lidhur me Zvicrën, Kroacinë dhe Rumaninë. Në mënyrë intensive po punojmë me qeveritë e Austrisë dhe Gjermanisë, ndërsa gjatë muajit shtator pritet të mbahet një takim i nivelit të lartë me qeverinë e Austrisë, ndërsa në muajin tetor edhe me Slloveninë, me qëllim arritjen e marrëveshjeve dypalëshe edhe me këto vende për lëshimin e vizave afatgjata për transportuesit maqedonas”, thonë nga Ministria e Transportit.
Nëse në takimin e nesërm në Bruksel nuk sigurohet një zgjidhje kalimtare për statusin e shoferëve, transportuesit paralajmëruan se do t’i radikalizojnë protestat, duke bllokuar pikat kufitare të secilit shtet veçmas.
Me këtë problem përballen drejtpërdrejt rreth 17 mijë shoferë profesionistë në Maqedoni, përkatësisht rreth 100 mijë në nivel të të gjithë Ballkanit Perëndimor.
