Pas triumfit historik me PSG-në në Ligën e Kampionëve, Khvicha Kvaratskhelia, ylli i përfaqësueses së Gjeorgjisë, ka përjetuar një fundjavë tronditëse. I kursyer nga trajneri Willy Sagnol (i lënë jashtë listës së Gjeorgjisë për ndeshjet miqësore), Kvaratskhelia ndodhej në Kanë për disa ditë pushimi. Pikërisht aty ndodhi edhe episodi i pakëndshëm, që po trondit opinionin sportiv dhe mediat në Francë e Itali.
Sipas raportimeve të para të mediave gjeorgjiane, të konfirmuara më pas nga prestigjiozja franceze “L’Équipe”, shtëpia e marrë me qira nga futbollisti në qytetin bregdetar francez u grabit mbrëmjen e së shtunës. Grabitësit hynë në banesë në mungesë të tij dhe vodhën kryesisht bizhuteri dhe sende me vlerë, ndërsa shuma e plotë e dëmit nuk është ende bërë publike.
Gazeta “La Repubblica” në Itali raporton se autoritetet franceze kanë hapur një hetim paraprak dhe janë duke shqyrtuar pamjet e kamerave të sigurisë përreth zonës, ku ndodhej rezidenca e përkohshme e lojtarit. Sipas burimeve pranë policisë franceze, grabitësit kanë vepruar me profesionalizëm dhe dyshohet se mund të kenë qenë në dijeni për praninë e sendeve me vlerë në banesë.
Mediat franceze shtojnë gjithashtu se ky nuk është rasti i parë i grabitjeve ndaj futbollistëve të njohur gjatë qëndrimit të tyre në Rivierën Franceze, veçanërisht gjatë festivalit të Kanës, periudhë gjatë së cilës rritet prania e personaliteteve publike dhe njerëzve të pasur në rajon. Lojtari është i tronditur nga ngjarja, por fizikisht në gjendje të mirë dhe në kontakt të vazhdueshëm me avokatët e përfaqësuesit e tij.
The post Ia “ngecin në grykë” fitimin e Champions-it, grabitet rezidenca e Kvaratskhelia në Kanë appeared first on Telesport.
