5 gola ndaj emiratasve të Al Ain në debutim, edhe 4 të tjerë disa orë më parë ndaj marokenëve të Wydad Athletic Club. Juventusi i Igor Tudor e ka marrë me dëshirë të madhe Botërorin e Klubeve dhe në vetëm 2 ndeshje ka shënuar plot 9 gola. Pavarësisht nivelit të kundërshtarëve, ajo që të bie në sy është identiteti, intensiteti dhe karakteri i shfaqur nga bardhezinjtë në SHBA.
Pa dyshim, një sinjal i mirë në prag të sezonit të ardhshëm. Shenjat më të mira, në këtë drejtim, kanë ardhur nga një individ në veçanti: Kenan Yildiz, autor i një paraqitjeje vërtet të jashtëzakonshme në Philadelphia. Me një “pothuajse gol” (varet nga këndvështrimi), një supergol dhe një tjetër gol të bukur, turku u shpall “Superior Player of the Match”.
Fjalët e Yildiz: “Ata thonë që kam shënuar dopietë, por unë mendoj se është një tripletë. Gjuajtja e parë ishte e imja, ndaj mendoj që edhe ai gol është i imi. Personalisht jam i lumtur për shifrat e mia, por gjithçka është meritë e skuadrës dhe ne duam të vazhdojmë kështu. Goli më i bukur në karrierë ndaj Wydad? Mendoj që goli i dytë sot është më i bukuri që kam shënuar deri tani”.
Analiza e trajnerit Tudor: “Ishte një ndeshje ndryshe, për ritmin dhe orarin. Shënuam menjëherë, por në futboll gjithmonë duhet të jesh i kujdesshëm në çdo situatë, pavarësisht rezultatit. Yildiz? Do të vendosë vetë se ku mund të arrijë. Ka cilësi të mëdha, ka shpejtësi dhe ide, si dhe një mentalitet prej lojtari të madh. Pastaj, është një djalë i mrekullueshëm. Vlahovic? Hyri në lojë me mentalitetin e duhur, punoi në mbrojtje dhe e vuri në lojë forcën e tij fizike”.
The post Identitet, intensitet dhe mbi të gjitha 9 gola në 2 ndeshje. Ja si Tudor po e ndryshon Juventusin appeared first on Telesport.
