Drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, ka ndarë një pjesë intime të historisë së tij personale në intervistën për “Top Story” të Grida Duma. Ai ka rrëfyer periudhën kur u detyrua ta linte Shqipërinë në fillim të viteve ’90, në kërkim të një të ardhmeje më të mirë, duke kaluar fillimisht periudha tepër të vështira: “Pas largimit nga Shqipëria kam punuar si kopshtar. Ishte një punë për të mbijetuar, por e pranoj se ndihesha i turpëruar. Nga një djalë me ëndrrën e futbollit, u gjenda papritur mes sakrificave të emigrantit. Megjithatë, kurrë nuk hoqa dorë nga ëndrra ime”.

Ai kujtoi se që në periudhën e komunizmit e kishte projektuar veten si futbollist të Serie A, edhe pse bashkëmoshatarët e konsideronin të pamundur: “Në Parkun Rinia iu thoja gjithmonë shokëve të klasës se një ditë do më shihnin në Serie A. Ata qeshnin dhe më quanin të çmendur. 15 vite më vonë, njëri prej tyre ma kujtoi këtë moment. Kjo tregon që, nëse ke një ëndërr, duhet të luftosh për të”.

Tare pranoi se vendimi për të ikur nga Shqipëria nuk ishte i lehtë: “Në vitet ’90, ideja ime ishte ta ndërtoja karrierën jashtë vendit. Ndoshta ishte zgjedhje e gabuar, ndoshta humba një karrierë më të madhe me kombëtaren shqiptare. Sidoqoftë, rruga ime ishte e tillë, ndoshta më e gjatë dhe më e vështirë se e të tjerëve”.

Sfidat e para të emigracionit e forcuan, duke e bërë më të vendosur, për të mos hequr dorë nga futbolli. Nga punë të përulura, arriti të kapë hap pas hapi futbollin profesionist në Gjermani, derisa mbërriti në Itali.

Tare tregon si iku nga Shqipëria: “Ika në Greqi vitin e parë, ishte një eksperiencë shumë me ulje dhe ngritje. Pata mundësi të njoh anët pozitive dhe negative të atij vendi ku shkova. Ishte periudha e egër dhe e keqe e vështrimit racist të shqiptarëve. Për këtë arsye zgjodha më pas të shkoja në Gjermani, për t’u futur në botën e futbollit. Ka qenë traumatik ambientimi im, isha pa asnjë njeri, gjithçka do ta filloja nga zeroja, ose edhe minus. Me çantën në krah shkoja dhe gjeja skuadrën ku mund të bëja provën dhe të më jepnin mundësinë të futesha. Vajta një pasdite, shkurt ose mars, kërkova të bëja stërvitje me ta dhe më pas më thanë që do të qëndrosh me ne, më gjetën edhe në punë”.

Igli Tare luajti me ekipe si Brescia, Bologna, Lazio dhe të tjera, duke fituar reputacion si sulmues i fortë fizikisht dhe i vendosur. Pas karrierës si lojtar, ai u bë drejtor sportiv i Lazios, ku për më shumë se një dekadë u vlerësua për aftësinë në gjetjen e talenteve dhe menaxhimin e skuadrës. Në vitin 2024, ai mori drejtimin e Milanit si drejtor sportiv, duke u rikthyer në qendër të skenës futbollistike italiane: “Motoja ime e punës dhe jetës? Ajo që për të tjerët është fundi, për mua është vetëm fillimi”.

The post Igli Tare, nga emigranti kopshtar te Milani: Ajo që për të tjerët është fundi, për mua është vetëm fillimi appeared first on Telesport.