Gjatë festës së 28 Nëntorit në Shkup u përdhos flamuri shtetëror i vendit, po të njëjtën ditë flamuri shqiptar u largua nga shtylla dhe u hodh në tokë nga një polic në Kumanovë, e kjo pasoi edhe me djegien e flamurit shqiptar në Prilep. Dje në Kumanovë iu vë flaka lokalit afarist të këshilltarit të Komunës së Kumanovës, Fitor Jakupi dhe u dogjën tri vetura qëllimisht, por dita e djeshme nuk u mbyll me kaq. Mbrëmë në Çair pati të shtëna ku ngeli i plagosur një person.
Këto janë disa nga incidentet serioze që ndodhën për vetëm pesë ditë në vendin tonë.
Në Haraçinë vazhdimitsht ka të shtëna me armë.
Edhe përkundër kësaj zv/ministri i Brendshëm shqiptar Astrit Iseni asnjëherë nuk doli të prononcohet para mediave. E kërkuam edhe sot Isenin në telefon por nuk na u përgjigj.
Mënyra e vetme e komunikimit të tij është nëpërmjet Facebookut me statuse, të cilat edhe ndodh që i modifkon. Siç ishte rasti dje me situatën në Kumanovë, ku deklaratën e tij e ndryshoi tre herë.
Analisti Sefer Selimi vlerëson se nëpërmjet festës së 28 Nëntorit është përçuar mesazh, gjegjësisht ka shpërthyer pakënaqësia e shqiptarëve ndaj veprimeve politike që i ndërmerr kjo qeveri.
“Ajo festë, ai organizim ishte anarkik, i paorganizuar, por në vete përcolli një mesazh, ndonëse kishte incidente të izoluara posaçërisht me përdhosjen e flamujve, kjo nuk nënkupton se këtë duhet ta trajtojmë nga prizmi i prishjes së rendit dhe qetësisë publike, ashtu siç po ndërmerren disa nga veprimet e fundit të institucioneve të sigurisë”, tha Sefer Selimi.
Selimi thotë se Kryeministri Mickoski e ka ditur se paralajmërimet për cungimin e ligjit për gjuhën shqipe do të përcillen me tensione, ndërsa shprehja destabilizim është si armë mbrojtëse nga destabilzimi i mundshëm real.
“Perspektiva e parë është që ai e ka ditur që atëherë se cilat veprime do t’i ndërmarrë, duke e ditur se ato veprime do të jenë irituese dhe do të shkaktojnë pakënaqësi te popullata e gjerë shqiptare ai e ka paralajmëruar për t’i paraprirë asaj, ndërsa nga ana tjetër një nga arsyet tjera e përsëritjes së vazhdueshme e fjalës destabilizim dhe paralajmërimet për destabilizim mund të jetë që duke paralajmëruar të parandalojë një destabilzim të mundshëm, le të themi të disiplinojë veprimet e mundshme të ardhshme qoftë nga partitë opozitare shqiptare, qoftë nga shqiptarët të pa inkuadruar brenda formacioneve partiake politike”, tha Selimi.
Analisti Sefer Selimi, tha se situata mund të devijojë edhe më shumë nëse shteti dhe organet e sigurisë nuk i marrin më seriozisht incidentet që po ndodhin vazhdimisht.
