Gazetare: Linda Ebibi Ademi
Mbi 600 persona janë vaksinuar kundër gripit stinor në poliklinikën e Bit Pazarit vetëm brenda një dite, që është dyfish më shumë krahasuar me dy javët e kaluara, kur ishin regjistruar rreth 300 vaksinime. Sipas mjekëve, interesimi më i madh vërehet tek të moshuarit. Ndërkohë i ulët është numri i fëmijëve të vaksinuar.
“Më të interesuar janë qytetarët e moshuar, pra ato mbi moshën 65 vjeçare, interes më i vogël është tek fëmijët, kjo është çdo vit kështu, kemi vërejtur një rritje të vogël të interesimit, megjithatë ajo ende nuk është e mjaftueshme. Fëmijët e vegjël që janë nga 6 muaj deri në 5 vjeç mund të kenë komplikime serioze, vitin e kaluar kemi pasur shpesh fëmijë me ndezje të muskujve, mund të ketë komplikime neurologjike, infeksione bakteriale”, tha Sanja Cilevska Mlladenovska, mjeke.
Sipas mjekëve, pasojat e gripit mund të jenë shumë të rënda dhe serioze.
“Gripi si virus është shumë i paparashikueshëm, ekzistojnë kategorizime të ndryshme, ndonjëherë mund të shkaktoj komplikime të rënda, veçanërisht tek të sëmurët kronik që kanë sëmundje respiratore, kardiologjike, sëmundje neurologjike dhe tek personat më të mëshuar mund të shkaktoj infeksione bakteriale, pneumoni të rëndë, në disa raste tek të moshuarit mund të përfundoj edhe me vdekje, ndërsa shpesh herë kërkon edhe shtrim në spital”, shtoi ajo.
Mjekët apelojnë që të gjithë personat e përfshirë në kategoritë e rrezikuara ndaj gripit të imunizohen. Këtë vit janë siguruar 80 mijë doza të vaksinave falas./Alsat.mk
The post Interesim i lartë i qytetarëve për vaksinim kundër gripit stinor appeared first on Alsat.

