Brenda një jave ka ndryshuar gjithçka. Interi kaloi nga entuziazmi për eliminimin e Bayernit dhe arritjen në gjysmëfinale të Champions-it, me ëndrrën e tripletës sezonale më të gjallë se kurrë, te goditja e rëndë ndaj Milanit, që e eliminoi nga Kupa e Italisë. Humbja ndaj Bologna ka vënë gjithçka në dyshim edhe sa i takon titullit në Serie A, sepse u barazua me pikë me Napolin.

Tani, makthi është mos vallë sezoni përfundon pa asnjë trofe. Le të jemi të qartë: rreziku ka ekzistuar gjithmonë. Dhe që në fillim të gjithë, pa hezitim, e kanë pranuar këtë. Aq sa sot, pavarësisht gjithçkaje, nuk ka pendesa.

Por realiteti tregon se ato dy rrëzime brenda vetëm 4 ditëve (diçka që nuk ndodhte prej më shumë se 2 vitesh) kanë hequr disa siguri. Vëmendje: do të ishte e padrejtë të mos njihet vlera e rrugëtimit të deritanishëm të Lautaros dhe shokëve të tij. Por, përfundimi i sezonit me “zero tituj” do të ishte gjithsesi një “kafshatë” shumë e hidhur.

Interi, mosha mesatare nuk ndihmon
Skuadra e Inzaghit vazhdon të ketë të gjitha mjetet për ta fituar titullin dhe për t’i shkuar deri në fund Champions-it. Megjithatë, zhvillimet e javëve të fundit dhe veçanërisht rezultatet e fundit kanë ngjallur dyshime se, ndoshta, pritshmëritë kanë qenë më të larta sesa potenciali real i skuadrës zikaltër.

Askush nuk mund të vërë në dyshim cilësinë e grupit në dispozicion të Inzaghit, por mosha nuk është një detaj pa rëndësi. Kur një skuadër me nivel të lartë, por ndoshta paksa e “vjetër”, i nënshtrohet një kalendari pa “frymëmarrje”, siç ka ndodhur këto muaj, vjen momenti kur duhet paguar fatura.

Është e vështirë t’iu kërkosh lojtarëve mbi 30 vjeç që të japin maksimumin çdo 3-4 ditë. Karburanti në një pikë mbaron, niveli i paraqitjes bie, edhe brenda 90 minutave, dhe rritet rreziku i dëmtimeve.

Interi, shumë dëmtime në momentet kyçe
Edhe nga ky këndvështrim, nuk ka qenë një sezon i lehtë për Interin. Problemet fizike kanë qenë shumë më tepër sesa sezonin e kaluar dhe shpesh janë përqendruar në një repart të caktuar, duke i detyruar lojtarët e “shëndoshë” të japin më shumë se zakonisht. Inzaghi, faktikisht, nuk e ka pasur kurrë grupin e plotë.

Dhe në javët e fundit, mungesat e Dumfries (që ishte më në formë) dhe Zielinski (që e uli ndjeshëm rotacionin në mesfushë) janë ndjerë shumë. Atyre iu është shtuar edhe dëmtimi më i lehtë i Thuram, lojtari i thellësisë, që është një ndër “armët” më të vlefshme të “Inzaghi-ball”.

Inzaghi paguan zgjedhjet e klubit
Megjithatë, siç mendojnë shumë, tekniku nga Piacenza duhet të kishte mjaftueshëm burime për të përballuar çdo mungesë. Por realiteti tregon të kundërtën: mjaft nga zëvendësuesit janë shumë larg nivelit të titullarëve. Dhe kur është radha e tyre, Interi nuk mund të konsiderohet më si një “makineri”.

Sulmi, për shembull, përveç ndonjë shpërthimi nga Arnautovic, nuk ekziston pa tandemin Lautaro-Thuram. Asllani nuk mund të jetë zëvendësuesi ideal i Calhanoglu, ndërsa Frattesi ka karakteristika që nuk përshtaten me stilin e lojës së Interit.

Është e sigurt që do ndërhyhet në verë, por ndoshta mund të ishte bërë diçka që në janar, duke i dhënë Inzaghit të paktën një përforcim në sulm. Një emër ishte gati: Marcos Asensio, që më pas përfundoi në huazim nga PSG tek Aston Villa. Pronësia e re (Oaktree) nuk e dha dritën jeshile për një afrimi të ri, pa pasur largim së pari. Dhe në sulm, askush nuk pranoi t’i bënte gati valixhet…

The post Interin e kap makthi i “zero titoli”… Tripleta u shua, titulli në rrezik dhe Barcelona tremb… appeared first on Telesport.