Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamed Hoxha sot promovoi vënien në përdorim të pajisjeve të reja të specializuara për deponinë Rusino, në kuadër të Projektit Rajonal për Menaxhimin e Mbetjeve të Ngurta, përcjell TV21. Bëhet fjalë për një investim prej 1.114.200 euro, i financuar përmes një kredie nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ndërsa ministri Hoxha tha se shpreson se me investime të këtilla t’i jepet fund edhe deponive ilegale.

“Shpresojmë që me rindërtimin, apo me ndërtimin e deponive rajonale, qendrave rajonale për menaxhim me mbeturina, do t’iu vijë fundi edhe deponive ilegale. Jemi në fazën e parë të realizimit të projektit për ndërtimin e qendrave rajonale për grumbullimin e mbeturinave, njëra nga ato qendra është edhe kjo që jemi sot këtu, në Rusino, ku fillojmë fazën e parë të realizimit . përkatësisht sigurimin e pajisjeve, apo mekanizimit që do të jetë në përdorim për deponinë Rusino dhe do të shërbejë të gjitha komunat që gravitojnë në këtë rajon”, theksoi Hoxha.