Interi rikthehet në fushë për të mbrojtur avantazhin 2-1, të arritur në ndeshjen e parë ndaj Bayern Munich. Simone Inzaghi foli në konferencë për shtyp nga “Appiano Gentile”, përpara ndeshjes së kthimit çerekfinale të Champions League, që do të luhet sonte prej orës 21:00 në “San Siro”.

Si e përjetoni këtë moment, ku ka shumë vëmendje mbi ju dhe ekipin tuaj?
Unë do të thosha që më shumë se tension, ka krenari të madhe për mënyrën se si po zhvillohet ky sezon nga Interi. E dimë që sonte do të jetë shumë e vështirë, duhet ta harrojmë rezultatin e ndeshjes së parë, por jo paraqitjen që bëmë në Mynih. Bëmë një ndeshje të shkëlqyer atje, por e njohim vlerën shumë të lartë të kundërshtarit. Do të duhet të bëjmë një ndeshje të madhe kthimi, me vrapim, agresivitet dhe qëndrim të duhur. Është një çerekfinale, pjesa e parë u luajt në Mynih dhe sonte është pjesa e dytë.

Conte flet për një luftë nervash. A ju pëlqen ky term? Dhe sa mund të ndikojë një kualifikim i mundshëm sot?
Mendoj se për lodhjen ka folur shumë mirë Mkhitaryan. E dimë që është një sezon i lodhshëm, por të luash çdo 3-4 ditë mund të të ndihmojë. Këtë edicion ishte një Champions i ri, si për ne trajnerët, ashtu edhe për lojtarët. Ka kërkuar më shumë energji, mjafton të kujtojmë rrugëtimin e vitit të kaluar. Më 8 nëntor u kualifikuam në Salzburg, ndërsa këtë vit kemi pritur deri më 29 janar me Monaco. Vitin e kaluar, dy muaj përpara kishim mundësinë të përqendroheshim në një objektiv të vetëm, tani ka më shumë lodhje, por edhe kënaqësi të madhe, duke ditur që sonte kemi përballë një kundërshtar shumë të fortë, jo për pagat apo buxhetin, por për parimet e lojës.

Në ndeshjen e parë, situata më delikate për t’u menaxhuar ishte presioni në krahë. A është diçka që mund ta menaxhoni ndryshe? Dimarco po apo jo?
Dje bëmë një stërvitje të shkurtër, por intensive. Dimarco ishte mirë, Carlos ishte mirë, po ashtu edhe Frattesi dhe Zalewski. Kemi ende jashtë Dumfries dhe Zielinski, përveç Correa, që nuk është në listë. Kompany ishte një lojtar inteligjent, po e tregon këtë edhe si trajner. Ka shumë lojtarë me talent, do të duhet të përpiqemi të përsërisim ndeshjen e Mynihut me zotësi teknike. Do të duhet ta mbajmë topin sa më shumë të jetë e mundur, por do të jetë edhe më e vështirë, sepse Bayerni e ushtron shumë mirë presionin.

Edhe ndaj Cagliarit u përpoqët të menaxhonit minutazhin e lojtarëve. A keni ndjesinë se jeni disi jashtë gjendjes së emergjencës tani?
Varet gjithmonë nga ndeshja në ndeshje, duke luajtur çdo 48 apo 72 orë nuk është e lehtë të përgjigjesh. Si trajner do të doja të kisha në dispozicion Dumfries dhe Zielinski. Në krahasim me një muaj më parë, në ndeshjen e fundit në Bergamo, kur kishim vetëm 14 lojtarë, situata është përmirësuar. Edhe pse Dumfries dhe Zielinski, përveç Correa, që nuk është në listë, janë dy lojtarë që do të doja t’i kisha. Kur luan kaq shpesh, do të më pëlqente të zgjidhja me kokën time dhe jo në bazë të minutazhit apo dëmtimeve. Vështirësitë nuk janë një justifikim, sepse i kanë të gjithë, por jam i bindur që këtë vit lidhen me faktin që Champions-i është më i lodhshëm se më parë: dy ndeshje më shumë, tetë kundërshtarë të ndryshëm për t’u studiuar, dy muaj vonesë për t’u kualifikuar. Të gjitha këto kanë ndikuar ndoshta në disa probleme muskulore më shumë se zakonisht.

Çfarë do të hiqnit nga 90 minutat e ndeshjes së parë?
Djemtë bënë një punë të shkëlqyer, por pati momente kur mund të ishim më agresivë pa topin. Në fazën me top mund të ishim më të rrezikshëm, pasi kalonim presionin. Megjithë paraqitjen shumë pozitive, pati momente ku mund të bënim më mirë.

Çfarë nuk duhet të bëjë Interi ndeshjen e kthimit?
E thashë që në fillim, nuk duhet të mendojmë për rezultatin, por për paraqitjen që bëmë në Mynih. Nuk duhet të shikojmë precedentët, sepse ndaj Bayernit në “San Siro” nuk kemi pasur gjithmonë histori pozitive. Djemtë janë të motivuar, skuadra e di që do të luajmë kundër një kundërshtari të madh. E respektojmë Bayernin, por me vëmendjen e duhur mund të bëjmë një paraqitje të madhe.

Hyrja e Müller ndryshoi lojën në Mynih, tani duket se do ta nisë titullar. A do t’ju detyrojë të ndryshoni diçka?
E njohim Müller. Në ndeshjen e parë hyri dhe shënoi, të dielën bëri një ndeshje të shkëlqyer. Ne e dimë çfarë ekipi është Bayerni. Sané ishte me karton të verdhë në ndeshjen e parë dhe nëse nuk do të ishte në kthim, janë gati Coman dhe Gnabry. Pra, bavarezët kanë një ekip me shumë lojtarë të afirmuar, të talentuar, të rinj, agresivë. Do të duhet një paraqitje shumë e madhe si në ndeshjen e parë, do të luajmë pa menduar për rezultatin e Mynihut.

A keni ndjerë ndonjë ndryshim në mentalitetin e lojtarëve pas fitores në ndeshjen e parë?
Pa dyshim që ishte gjysma e punës shumë e mirë, por kur flitet për vajtje-ardhje duhet të jesh mjaft i kujdesshëm. Po të ishte një finale, do të thosha diçka tjetër. Në Mynih bëmë shumë mirë, për të fituar atje duhet të jesh i zoti dhe ne jemi të kënaqur, por e dimë që fatkeqësisht nuk ishte një finale dhe do të duhet të bëjmë një tjetër ndeshje të madhe kundër një prej skuadrave më të forta në botë, bashkë me Realin.

Marotta tha që rinovimi juaj është formalitet, por shtypi ngre dyshime. Për çfarë po flisni me klubin?
Nuk mendoj se ky është momenti për të folur për këtë. Mund të them vetëm që jam shumë i lumtur tek Interi, kjo do të jetë gjithmonë pika më e rëndësishme në vendimet e mia. Për momentin nuk është koha për të folur mbi të ardhmen time. Gjithsesi, e kam thënë gjithmonë që ndihem mirë këtu, do të flasim për këtë pas një muaji e gjysmë.

The post Inzaghi kërkon vigjilencë të lartë: Ta harrojmë avantazhin e Mynihut, por jo paraqitjen atje appeared first on Telesport.