Inzaghi e përshkroi si një disfatë të dhimbshme, jo vetëm për faktin që Interi humbi një trofe kaq të rëndësishëm si Superkupa Italiane, por edhe sepse situata bëhet më e vështirë kur analizohen faktet. Pësimi i golave në minutat e fundit është kthyer në një dobësi të vazhdueshme për skuadrën zikaltër.

Shifrat flasin qartë. Që nga fillimi i sezonit, Interi ka pësuar 10 gola pas minutës së 80-të, përfshirë Serie A, Ligën e Kampionëve dhe Superkupën Italiane. Humbjet janë të dukshme: 5 pikë të lëna në kampionat, një pikë në Ligën e Kampionëve dhe, mbi të gjitha, Superkupa Italiane e humbur në vetëm 10 minuta përballë rivalëve më të mëdhenj ndërqytetas.

Pyetja që ngrihet është nëse problemi është mendor apo fizik. Për tifozët e Interit, minutat e fundit të një ndeshjeje kanë marrë nuanca “thrilleri”, duke sjellë në mendje fjalët e famshme të Trapattonit: “Mos thuaj që macja është në thes, kur nuk e ke ende macen në thes”.

Marotta e kupton situatën, edhe Inzaghi është i vendosur të mos shohë më gola të pësuar në minutat e fundit. Megjithatë, për të, prioritet mbetet rikuperimi i mbrojtësve të dëmtuar dhe sigurimi që lojtarët të jenë të freskët fizikisht, të fokusuar dhe në formë optimale. Sezoni është ende i gjatë, ndërsa Interi nuk mund të rrezikojë që disa minuta t’i prishin gjithçka.

 

The post Inzaghi kthehet nga Rijadi me diagnozë shqetësuese, Interi vuan nga ‘sindroma e minutave të fundit’ appeared first on Telesport.