Simone Inzaghi, trajneri i Interit, foli për kanalet zyrtare të klubit zikaltër pas barazimit 3-3 në fushën e Barcelonës, ndeshje e parë gjysmëfinale e Ligës së Kampionëve: “Luajtëm ndeshjen që duhej të bënim, me shumë zemër. Kemi keqardhje që nuk e ruajtëm avantazhin me dy gola dhe për golin e anuluar të Mkhitaryan.

Një fije keqardhje ekziston, por luajtëm kundër skuadrës më të bukur dhe teknike në botë për momentin. E pësuam golin e tretë në një situatë ku duhej të ishim më të kujdesshëm, por duhen duartrokitur këta djem, sepse janë të mrekullueshëm”.

Si do të menaxhohet tani angazhimi i dyfishtë, kampionat dhe Champions?
Gjithçka do të jetë e rëndësishme, të enjten në agim do të mbërrijmë në Milano dhe do të shkojmë menjëherë në grumbullim. Do të duhet të japim maksimumin për të rikuperuar të gjitha energjitë fizike dhe mendore.

Sa kënaqësi ndjeve? Ku i gjetën energjitë lojtarët?
Duhet t’i pyesni ata, ishin të mrekullueshëm, treguan shumë zemër dhe teknikë kundër skuadrës më ofensive dhe më të bukur në botë. U futëm në fushë organizim, teknikë, taktikë, zemër. Në gjysmëorën e parë vuajtëm, kundër një lojtari që nuk e kisha parë kurrë nga afër, Yamal. Një i tillë lind çdo 50 vite. Më la mbresa, ashtu siç më lanë mbresë edhe lojtarët e mi, duke parë turin e lodhshëm që kemi pasur. Nganjëherë harrojmë mungesat, por janë të rëndësishme, djemtë ishin fantastikë. Finalja nuk do të jetë në Mynih, por në ‘San Siro’. E meritojnë tifozët tanë, që kanë blerë 75 mijë bileta para se të shihnin si do përfundonte ndeshja e parë dhe për mënyrën si e nderuan skuadrën të dielën, pavarësisht humbjes ndaj Romës.

A prisje që Barcelona të luante kështu?
Sigurisht, ata luajnë gjithmonë kështu, e pranojnë rrezikun, por nëse kanë shënuar 150 gola këtë sezon, e dinë çfarë bëjnë. Kemi pak keqardhje për rastet që patëm me Mkhitaryan, Bisseck dhe të tjera.

Lautaro, a do të provojë të jetë i gatshëm për kthimin?
Do të provojë, por kam disa dyshime. Ka luajtur 8 ndeshje radhazi. Po të mos kishim luftë për titull dhe gjysmëfinale të Kupës së Italisë, do ta kisha pushuar më herët. Mjaftonte të kishim një mes Thuram ose Taremit, që ishin të dëmtuar. Me këtë kalendar jemi të detyruar t’i shtrydhim lojtarët, ky është rreziku i madh. Lautaron dhe Dumfries më është dashur t’i shtrydh në vjeshtë dhe fatkeqësisht kanë pasur probleme.

Çfarë iu thua tifozëve?
Iu them vetëm faleminderit, janë gjithmonë me ne. Ajo që bënë pas ndeshjes me Romën ishte diçka e veçantë, djemtë e vlerësuan shumë. Të martën kemi një ndeshje që është si një finale. Por më parë është Verona.

The post Inzaghi, pas barazimit 3-3 ndaj Barcelonës: Tifozët tanë meritojnë finalen në “San Siro” appeared first on Telesport.