Irani deklaroi se nuk janë planifikuar bisedime me Shtetet e Bashkuara në ditët në vijim, edhe pse presidenti amerikan, Donald Trump, tha se Teherani “ka kërkuar takim” dhe se negociatat do të zhvillohen më 30 qershor në Katar.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baqaei, tha se një ekip teknik iranian do të udhëtojë këtë javë në Doha, por se vizita nuk ka asnjë lidhje me zyrtarët amerikanë që do të jenë në Katar.

“Nuk do të kemi negociata me palën amerikane në asnjë nivel gjatë ditëve në vijim. Fakti që përfaqësuesit amerikanë po udhëtojnë drejt Katarit, nuk ka asnjë lidhje me vizitën e delegacionit iranian”, tha Baqaei.

Ai i bëri komentet pasi Shtetet e Bashkuara dhe Irani shkëmbyen sulme gjatë fundjavës, duke rritur sërish tensionet mes dy vendeve.

Më herët, më 29 qershor, Trump shkroi në rrjetin Truth Social se “Irani ka kërkuar takim” dhe se ai “do të zhvillohet nesër në Doha”.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se të dërguarit e presidentit Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, do të udhëtojnë në Doha për bisedime me Iranin.

“I dërguari i posaçëm Steve Witkoff dhe Jared Kushner do të udhëtojnë këtë javë drejt Dohës për takime të nivelit të lartë, ndërsa vazhdojmë diskutimet për memorandumin e mirëkuptimit. Krahas këtyre takimeve, do të zhvillohen edhe bisedime në nivel teknik”, tha ajo në një intervistë për Fox News më 29 qershor.

Baqaei, në anën tjetër, tha se ekipi teknik iranian po udhëton në Doha për të diskutuar lirimin e rreth 6 miliardë dollarëve të aseteve të ngrira iraniane, që mbahen në Katar.

Lirimi i këtyre fondeve është pjesë e një memorandumi mirëkuptimi të nënshkruar nga Teherani dhe Uashingtoni më 17 qershor, me synimin për t’i dhënë fund luftës disamujore.

Megjithatë, zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabadi, tha më herët, më 29 qershor, se grupi teknik i punës nuk ishte planifikuar të mblidhej gjatë kësaj jave.

“Edhe pse konsultimet me Katarin, përfshirë ato për zbatimin e angazhimeve të palës tjetër, po vazhdojnë si zakonisht, njoftimet e disa mediave se në Doha po mbahen bisedime teknike të grupeve të punës, nuk mund të konfirmohen”, tha Gharibabadi për agjencinë iraniane të lajmeve Tasnim.

Ai shtoi se rundi i parë i bisedimeve teknike do të zhvillohet vetëm pasi të krijohen kushtet e nevojshme dhe të arrihet marrëveshje për datën dhe vendin e takimit.

Sipas tij, konsultimet për këtë çështje po vazhdojnë përmes vendeve ndërmjetëse.

Këto deklarata vijnë pasi Irani refuzoi të takohej me negociatorët amerikanë më 28 qershor, duke argumentuar se sulmet amerikane ndaj vendit dhe “shkelja e memorandumit të mirëkuptimit” e kanë bërë të pamundur zhvillimin e takimit.

“Një nga arsyet është të verifikohet nëse kemi qasje në fondet e zhbllokuara. Nëse nuk kemi qasje, atëherë ky kusht nuk është përmbushur”, tha Mehdi Fazaeli, zyrtar i zyrës së udhëheqësit suprem të Iranit.

Presidenti iranian, Masud Pezeshkian, njoftoi më 29 qershor se asetet iraniane që mbahen aktualisht në Katar, do t’i kthehen Teheranit.

Megjithatë, zyrtarët amerikanë thonë se, deri më tani, nuk është liruar asnjë nga asetet e ngrira të Iranit./REL