Irani ka bërë të ditur të hënën se vazhdon ta ketë nën kontroll Ngushticën e Hormuzit dhe se nuk po kërkon rifillimin e bisedimeve të paqes me Shtetet e Bashkuara.
Deklarata vjen një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, ndërpreu fushatën dyjavore të bombardimeve, për të cilën drejtuesit më të lartë ushtarakë i thanë se kishte arritur kufijtë e asaj që mund të realizonte, raporton Reuters.
Pas 13 netëve radhazi me bombardime gjithnjë e më intensive, të cilat e shtynë Teheranin zyrtar të sulmonte bazat amerikane si kundërpërgjigje, Trumpi e ka ndërprerë fushatën gjatë fundjavës. Irani ka njoftuar po ashtu se po pezullohnte sulmet e veta për aq kohë sa SHBA-ja do të vazhdonte të mos sulmonte.
Vendimi i Trumpit për të pezulluar fushatën ka ardhur pas këshillës së drejtuesve të tij më të lartë ushtarakë, të cilët kanë vlerësuar se bombardimet, që synonin të dobësonin kontrollin e Iranit mbi ngushticën, kishin arritur kufirin e efektivitetit të tyre, sipas një zyrtari amerikan dhe raportimeve të shumta të mediave amerikane.
Zyrtari amerikan i ka thënë agjencisë Reuters se komandantët ushtarakë e kishin këshilluar presidentin se objektivat po shteronin. Ai ka shtuar se kreu i shtatmadhorisë, gjenerali Dan Caine, kishte shprehur gjithashtu shqetësim për pakësimin e armëve të mbrojtjes ajrore që përdoreshin për mbrojtjen e bazave amerikane në rajon.
Raporte të ngjashme, sipas të cilave këshilltarët civilë dhe ushtarakë i kishin rekomanduar Trumpit të ndalte fushatën, u publikuan gjatë fundjavës nga “The Neë York Times”, CNN, Axios dhe media të tjera.
Ambasadori i SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Mike Ëaltz, ka thënë të dielën se Trumpi e kishte pezulluar fushatën për të krijuar hapësirë për negociata.
Por zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, ka deklaruar në një konferencë për shtyp të transmetuar drejtpërdrejt të hënën, se Irani nuk kishte kërkuar rifillimin e bisedimeve të paqes me Shtetet e Bashkuara.
Përfundimi i fushatës amerikane të bombardimeve bëri që çmimet e naftës të bien ndjeshëm, mes shpresave se furnizimet globale të ndërprera do të rifillonin.
Nafta Brent, e cila javën e kaluar kishte kaluar përkohësisht kufirin e 100 dollarëve për fuçi për herë të parë që nga maji, ka rënë me rreth 7,8% deri në mesditën e së hënës, duke zbritur nën 90 dollarë për fuçi.
Megjithatë, Teherani zyrtar ka sinjalizuar se vazhdon ta ketë nën kontroll rrugën ujore më të rëndësishme në botë për tregjet e energjisë.
Trumpi e kishte nisur fushatën e re të bombardimeve këtë muaj, për të ndëshkuar Iranin, pasi Teherani kishte qëlluar ndaj anijeve që përdornin një korridor lundrimi nëpër ngushticë të promovuar nga Shtetet e Bashkuara, të cilat u kishin rekomanduar anijeve të lundronin pranë bregdetit të Omanit.
Irani këmbëngul se anijet mund të kalojnë vetëm përmes një kanali që kalon më pranë brigjeve të tij, të cilin e kontrollon dhe ku synon të vendosë tarifa tranziti.
Dy javët e bombardimeve të reja amerikane kanë shkaktuar vdekjen e dhjetëra personave në Iran dhe kanë shkatërruar ura, tunele dhe objektiva ushtarake në jug të vendit.
Katër ushtarakë amerikanë janë vrarë nga kundërsulmet iraniane ndaj bazave amerikane në shtetet fqinje arabe.
Irani ka goditur gjithashtu infrastrukturë civile në vendet e Gjirit, duke deklaruar se sulmet ishin hakmarrje për bombardimet amerikane ndaj objektivave civile.
