Shkup, – Me mohime të forta dhe qëndrime të kundërta nisi gjykimi ndaj ish gjyqtarit Gjoko Ristov, i akuzuar për fshehje të pasurisë dhe pastrim parash.
Në fjalët hyrëse, Ristov deklaroi se nuk ndjen përgjegjësi për akuzat e ngritura nga Prokuroria, duke theksuar se shuma prej rreth 350 mijë eurosh, e gjetur në shtëpinë e prindërve të tij, nuk i përket atij. Sipas tij, bëhet fjalë për para të familjes, ndërsa akuzoi Prokurorinë se nuk ka arritur të dëshmojë lidhjen e këtyre mjeteve me ndonjë veprimtari të paligjshme.
“Nuk jam fajtor. Paratë nuk janë të miat, por të prindërve të mi. Nuk ka prova që ato kanë origjinë nga vepra penale”, deklaroi Ristov para trupit gjykues.
Në anën tjetër, Prokuroria mbetet në qëndrimin se bëhet fjalë për pasuri të fshehur të ish gjyqtarit. Prokurorja Iskra Haxhivasileva theksoi se gjatë procedurës janë siguruar dëshmi që, sipas saj, vërtetojnë se paratë e gjetura të fshehura në mur në shtëpinë e prindërve janë pikërisht të Ristovit.
“Kemi prova që do të dëshmojnë se mjetet financiare i përkasin të akuzuarit, e jo prindërve të tij, siç pretendohet nga mbrojtja”, deklaroi Haxhivasileva.
Rasti ndaj ish gjyqtarit pritet të vazhdojë me paraqitjen e provave dhe dëgjimin e dëshmitarëve në seancat e ardhshme, ku do të përplasen argumentet e Prokurorisë dhe mbrojtjes për origjinën e shumës së konsiderueshme të parave. /Alsat.mk
The post Ish gjyqtari Ristov mohon akuzat: Paratë janë të prindërve, jo të miat appeared first on Alsat.
