Për shkak të temperaturave të larta të paralajmëruara deri më 7 gusht, Instituti i Shëndetit Publik (IShP) u bën thirrje qytetarëve që të respektojnë rekomandimet për mbrojtje nga vala e të nxehtit, veçanërisht në periudhën nga ora 11:00 deri në 17:00, kur rreziku nga ekspozimi në diell është më i madh.
“Nëse temperatura e ajrit i afrohet ose e tejkalon temperaturën normale të trupit prej rreth 36,7°C, aftësia e organizmit për t’u ftohur dobësohet. Gjithashtu, kur lagështia relative e ajrit është e lartë, djersa avullon më vështirë dhe ftohja e trupit vështirësohet”, theksojnë nga IShP.
Sipas institutit, kur trupi mbinxehet ose ka vështirësi në rregullimin e temperaturës, mund të shfaqen simptoma si dobësi, tharje e gojës, marramendje, të përziera, djersitje e tepërt, lëkurë e thatë dhe ngërçe muskulore.
Në rast të përkeqësimit të gjendjes dhe shfaqjes së “goditjes nga dielli”, mund të paraqiten edhe simptoma më serioze, si ndërprerja e djersitjes, lëkurë shumë e nxehtë, konfuzion, rrahje të shpejta të zemrës, vështirësi në frymëmarrje, humbje e vetëdijes dhe deri në pasoja fatale.
IShP thekson se grupet më të rrezikuara janë personat mbi 60 vjeç, gratë shtatzëna, fëmijët, personat socialisht të cenueshëm, punëtorët që punojnë në ambiente të hapura, si dhe personat me sëmundje kronike, përfshirë sëmundjet kardiovaskulare, të mushkërive, veshkave, diabetin, sëmundjet mendore dhe obezitetin.
Rekomandimet për mbrojtje nga temperaturat e larta:
-Shmangni ekspozimin direkt në diell dhe aktivitetet në ambiente të hapura nga ora 11:00 deri në 17:00.
-Vishni rroba të lehta dhe me ngjyra të çelura, përdorni syze mbrojtëse dhe kapelë me strehë të gjerë.
-Qëndroni në ambiente të mbyllura dhe të freskëta, mundësisht me ajër të kondicionuar.
-Nëse duhet të dilni jashtë gjatë orëve të nxehta, bëni pushime të shpeshta në hije dhe shmangni qëndrimin direkt në diell.
-Mbyllni dritaret dhe grilat gjatë ditës, ndërsa hapini në mbrëmje kur temperaturat ulen.
-Konsumoni ushqim në sasi të moderuar dhe shmangni ushqimet e yndyrshme, me shumë kalori dhe sheqer.
-Pini mjaftueshëm lëngje gjatë gjithë ditës, pa pritur të ndjeni etje. Zgjedhja më e mirë është uji.
Shmangni pijet alkoolike, pijet me kafeinë dhe pijet shumë të ftohta.
IShP paralajmëron se automjetet e mbyllura mund të nxehen shumë shpejt.
“Mos lini askënd në automjet të mbyllur. Hapni dritaret për ajrosje nëse jeni brenda automjetit. Bëni dush me ujë të vakët sipas nevojës. Për freskim shtesë përdorni kompresa të ftohta ose zhysni këmbët në ujë të ftohtë”, këshillojnë nga IShP.
Personat me sëmundje kronike duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm, të vazhdojnë terapinë e rregullt dhe për çdo ndryshim në gjendjen shëndetësore të konsultohen me mjekun amë.
Nëse një person ndjen marramendje, dobësi, shqetësim, etje të madhe ose dhimbje koke, duhet të kërkojë ndihmë, të zhvendoset në një vend më të freskët dhe të matë temperaturën e trupit.
Në rast të ngërçeve muskulore, personi duhet të pushojë në vend të freskët dhe të konsumojë lëngje me elektrolite. Nëse ngërçet zgjasin më shumë se një orë, nevojitet ndihmë mjekësore.
“Nëse një anëtar i familjes ose një person të cilit po i ndihmoni ka lëkurë të nxehtë dhe të thatë, ngërçe dhe/ose është pa vetëdije, menjëherë telefononi 194 ose 112. Derisa të arrijë ndihma urgjente, zhvendoseni në vend të freskët, vendoseni në pozicion horizontal dhe ngrini këmbët mbi 20 centimetra”, shtojnë nga IShP.
Në raste të tilla rekomandohet largimi i rrobave të tepërta, ftohja e trupit me kompresa të ftohta në qafë, sqetulla dhe ijë, si dhe spërkatja e vazhdueshme e lëkurës me ujë.
“Nëse personi është pa vetëdije, vendoseni në pozicion anësor. Konsultohuni me mjekun në rast të shfaqjes së simptomave apo shenjave të pazakonta, ose nëse ato zgjasin më shumë”, përfundojnë rekomandimet e Institutit të Shëndetit Publik.
