Ushtria izraelite ka thënë të dielën se sulmet e saj kanë vrarë 40 zyrtarë të lartë ushtarakë iranianë, përfshirë shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura, Abdolrahim Mousavi. As Irani, as SHBA-ja nuk e kanë komentuar deklaratën.
Deklarata vjen pas njoftimit të presidentit amerikan, Donald Trump, të shtunën se sulmi i përbashkët izraelito-amerikan kishte vrarë liderin suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei.
Ushtria izraelite po ashtu njoftoi se sulmet kishin vrarë edhe zyrtarë të tjerë të lartë të mbrojtjes iraniane gjatë takimeve, përfshirë ministrin e Mbrojtjes Aziz Nasirzadeh dhe gjeneralin e Gardës Revolucionare, Mohammad Pakpour. Nuk ka pasur komente nga Irani apo SHBA-ja mbi këto raporte.
Paraardhësi i Mousavit, Mohammad Bagheri, u vra gjithashtu nga sulmet izraelite gjatë luftës së qershorit të vitit të kaluar.
