Kalimi kufitar Rafah midis Gazës dhe Egjiptit do të mbetet i mbyllur deri në njoftim të mëtejshëm, ka thënë të shtunën kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, duke shtuar se rihapja e tij do të varet nga dorëzimi i trupave të pengjeve të vdekura nga Hamasi.

Të dyja palët po vazhdojnë të fajësojnë njëra-tjetrën për shkeljet e armëpushimit.

Deklarata e Netanyahut erdhi menjëherë pasi ambasada palestineze në Egjipt njoftoi se kalimi kufitar Rafah, porta kryesore për banorët e Gazës për t’u larguar dhe për të hyrë në enklavë, do të rihapej të hënën për hyrje në Gazë.

Qeveria e Netanyahut dhe Hamasi kanë fajësuar njëra-tjetrën për shkeljet e armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja për ditë të tëra. Të shtunën vonë në Uashington, Departamenti i Shtetit ka thënë se kishte marrë “raporte të besueshme që tregojnë një shkelje të afërt të armëpushimit nga Hamasi kundër popullit të Gazës”.

Departamenti i Shtetit ka thënë se sulmi i planifikuar kundër civilëve palestinezë do të ishte një “shkelje e drejtpërdrejtë dhe e rëndë e marrëveshjes së armëpushimit”.

“Nëse Hamasi vazhdon me këtë sulm, do të merren masa për të mbrojtur popullin e Gazës dhe për të ruajtur integritetin e armëpushimit”, ka thënë departamenti në një deklaratë, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Hamasi mohoi të dielën akuzat për një “sulm të afërt” ose një “shkelje” të armëpushimit.

Ai ka akuzuar autoritetet izraelite për formimin, armatosjen dhe financimin e “bandave kriminale” që kryenin vrasje, rrëmbime dhe ndihmonin plaçkitjet.

Grupi militant palestinez ka thënë se forcat policore në Gazë po kryenin detyrën e tyre duke ndjekur këto banda për t’i mbajtur përgjegjëse.

Trumpi ka paralajmëruar se do t’i lejonte forcat izraelite të rifillojnë luftimet në Gazë nëse Hamasi nuk arrin të zbatojë fundin e marrëveshjes së armëpushimit që ai ndërmjetësoi.