Izraeli përsëri e hapi vendkalimin kufitar Alenbi, ndërmjet Bregut Perëndimor të okupuar dhe Jordanisë, për të lejuar hyrjen e ndihmave humanitare për Rripin e Gazës, sipas përfaqësuesve izraelitë dhe palestinezë.

Vendkalimi ishte mbyllur për më shumë se dy muaj, pasi një shofer jordanez i kamionit që sillte ndihmë për Gazën qëlloi dhe vrau dy ushtarë izraelitë, para se të qëllohej dhe të vritej vetë. Dje, vendkalimi u hap përsëri, dhe 20 kamionë kaluan drejt Gazës.

Alenbi është vendkalimi i vetëm kufitar ndërmjet Jordanisë dhe Bregut Perëndimor, që lejon palestinezët që jetojnë në territorin e okupuar që nga viti 1967 të udhëtojnë drejt Jordanisë pa pasur nevojë të kalojnë përmes Izraelit.

Pika e kontrollit u hap sërish si rezultat i përpjekjeve diplomatike për zbatimin e fazës së dytë të planit paqësor për Lindjen e Mesme, të propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump.