Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, gjatë një deklarate publike nga Shtëpia e Bardhë, e quajti Donald Trump “mikun më të madh që Izraeli ka pasur ndonjëherë në Shtëpinë e Bardhë”, duke vlerësuar rolin e presidentit amerikan në mbështetjen ndaj shtetit izraelit.
Në fjalimin e tij, Netanyahu tha:
“Besoj se sot po hedhim një hap vendimtar drejt përfundimit të luftës në Gaza dhe drejt një përparimi të jashtëzakonshëm për paqen në Lindjen e Mesme – madje edhe përtej Lindjes së Mesme.”
Ai shtoi se mbështet planin e Trump për t’i dhënë fund luftës në Gaza, duke e përshkruar si një zgjidhje që përmbush objektivat ushtarake dhe politike të Izraelit.
“Ky plan do të sjellë kthimin e të gjithë pengjeve izraelite, do të çmontojë kapacitetet ushtarake të Hamasit, do të rrëzojë sundimin politik të kësaj organizate dhe do të sigurojë që Gaza të mos jetë më kurrë një kërcënim për Izraelin,” theksoi Netanyahu.
Kjo deklaratë vjen në një moment kritik për përpjekjet ndërkombëtare për një armëpushim të qëndrueshëm dhe një zgjidhje afatgjatë për konfliktin Izrael-Gaza, ndërsa Shtetet e Bashkuara po luajnë një rol kyç në negociatat që vazhdojnë në prapaskenë.