Ja kur pritet të bie çmimi i naftës në Kosovë, jep detaje Fadil Berjani

Prishtinë – Qytetarët e Kosovës do të dinë trendin e çmimeve të derivateve të naftës për ditën e nesërme pikërisht në orën 22:00, moment kur mbyllet bursa ndërkombëtare e naftës.

Aktualisht, çmimet e karburanteve mbeten të larta:

Dizel: 1.39 € – 1.60 € për litër

Benzinë: 1.27 € – 1.39 € për litër

Për krahasim, deri më 28 shkurt, çmimi i naftës ishte 1.12 € – 1.19 € për litër.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, thotë se qytetarët e Kosovës furnizohen me çmime ndër më të ulëtat në rajon, me përjashtim të Maqedonisë së Veriut, që ka akcizë më të ulët për karburantet.

“Sot çmimet e derivateve të naftës sillen përafërsisht: 1 litër dizel 1.39 € – 1.60 €, benzina 1.27 € – 1.39 €. Qytetarët e Kosovës furnizohen me çmime shumë të ulëta krahasuar me rajonin, përveç Maqedonisë Veriore, që ka akcizë më të ulët,” tha Berjani.

Ai shpjegon se rritja e çmimeve lidhet me zhvillimet globale, veçanërisht pas tensioneve SHBA-Izrael në Iran.

“Rritja e derivateve të naftës është pasojë e situatës globale, sidomos lufta në Iran. Trendin e çmimeve për nesër e mësojmë pas mbylljes së bursës në ora 22:00,” nënvizon Berjani.

Ai kritikoi gjithashtu rritjen e çmimeve në markete dhe shërbime, duke apeluar që të mos rriten çmimet e biletave të autobusëve pasi nafta po bie.

Qytetarët shprehen të shqetësuar për nivelin e çmimeve:

Edan Bregubuca: “Çmimet janë të papërballueshme për shumë familje. Kam qenë i detyruar të shmang lëvizje me veturë për shkak të kostos.”

Elmi Hamiti: “Çmimet janë rritur shumë shpejt, pa u vlerësuar mundësitë tona financiare.”

Fatmir Zogiani: “Dallimet e çmimeve ndërmjet pikave të karburanteve janë të papranueshme, dhe shpesh abuzohet me konsumatorët.”

Nga ana e saj, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit po monitoron tregun e derivateve për të parandaluar praktikat e padrejta. Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut po zhvillon mbikëqyrje intensive dhe bashkëpunon me Administratën Tatimore për të analizuar çmimet e importit dhe ato në treg.

Në vendimin e fundit të 4 marsit 2026, ministrja Mimoza Kusari-Lila caktoi çmimet tavan për produktet e naftës:

Shitja me shumicë: deri në 2 centë për litër fitim

Shitja me pakicë: deri në 12 centë për litër fitim

Çmimet globale të naftës kanë pësuar ulje pas paralajmërimeve të presidentit amerikan Donald Trump për Iranin. Në tregtinë aziatike, çmimi i naftës Brent ra 6.5% në 92.46 $ për fuçi, ndërsa Nymex Light ra 7% në 88.15 $ për fuçi.

Berjani thekson se qytetarët duhet të presin ulje të çmimeve lokale të naftës duke pasur parasysh zhvillimet globale dhe rënien e bursës.