Kryeministri japonez, Shigeru Ishiba, ka dhënë dorëheqje të dielën, duke sjellë një periudhë potencialisht të gjatë paralize politike në një moment të pasigurt për ekonominë e katërt më të madhe në botë.
Ishiba, 68 vjeç, ka udhëzuar Partinë e tij Liberal Demokratike, e cila ka qeverisur Japoninë për pothuajse të gjithë epokën e pasluftës, të mbajë një garë emergjente për udhëheqje, ka bërë të ditur vetë ai në një konferencë për shtyp, duke shtuar se do të vazhdonte detyrat e tij derisa të zgjidhej pasardhësi i tij, raporton Reuters.
Që kur ka ardhur në pushtet më pak se një vit më parë, Ishiba ka parë humbjen e shumicës së koalicionit të tij qeverisës në zgjedhjet për të dy dhomat e parlamentit, mes zemërimit të votuesve për rritjen e kostove të jetesës.
Deri të dielën, ai kishte refuzuar thirrjet për t’u larguar, pas humbjes së fundit në votimin e dhomës së sipërme të korrikut. Ai ishte përqendruar në vend të kësaj në sqarimin e detajeve të një marrëveshjeje tregtare me Shtetet e Bashkuara mbi tarifat e presidentit Donald Trump, të cilat kanë trazuar industrinë kritike të automobilave të Japonisë.
