Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, nga Brukseli, tha se para nesh janë ditë që mund të përcaktojnë rrjedhën e konfliktit. Ajo konfirmoi se bisedimet midis SHBA-ve dhe Ukrainës kanë qenë të vështira, por shpreson në një rezultat pozitiv.
“Kjo mund të jetë një javë vendimtare për diplomacinë. Dje dëgjuam se bisedimet në Amerikë kanë qenë të vështira, por produktive. Akoma nuk i dimë rezultatet, por sot do të bisedoj me ministrin e mbrojtjes së Ukrainës, si dhe me ministrin e punëve të jashtme të Ukrainës”, pohoi Kaja Kallas, BE.
Nga ana tjetër e Atlantikut, pas katër orë bisedimesh midis përfaqësuesve amerikanë dhe ukrainas në Florida, presidenti Donald Tramp u shpreh i kënaqur për progresin. Ai theksoi se qëllimi kryesor është të ndalet humbja e jetëve njerëzore.
“Pra, negociatat po ecin, dhe po ecin mirë. Ne duam të ndalojmë që njerëz të vriten. Nuk ka shumë lidhje me ne, por do të doja të shihja nëse mund të shpëtojmë shumë jetë. Shumë njerëz po vriten. Muajin e kaluar patëm 27.000 të vrarë në atë luftë qesharake që kurrë nuk duhej të ndodhte. Dhe as nuk do të kishte ndodhur nëse unë do të isha president”. deklaroi Donald Tramp, President i SHBA.
Megjithatë, Tramp theksoi se ka pengesa. Ai përmendi drejtpërdrejt korrupsionin në Ukrainë si faktor vështirësues, por mbetet i bindur se marrëveshja është e mundur, pasi edhe Rusia edhe Ukraina dëshirojnë fundin e luftës.
“Ukraina ka disa probleme të vogla të vështira. Ka probleme të vështira. Por mendoj se Rusia do të donte të shihte fundin, mendoj se Ukraina – e di që Ukraina do të donte të shihte fundin. Pra, kemi një situatë me korrupsion që po ndodh, që nuk ndihmon. Unë thashë që ka ndodhur për tre vjet, apo jo? Nuk e thashë? Për tre vjet e kam thënë. Pra, kam qenë shumë përpara planit, por mendoj se ka shans të mirë që të arrijmë marrëveshje”, tha Donald Tramp, President i SHBA.
Ndërkohë që pritet vizita e të dërguarit special të SHBA-së, Stiv Uitkof, në Moskë për takim me Putinin, Brukseli ka një mesazh të qartë. Kallas paralajmëron se nëse reduktohet ushtria ukrainase pa kufizuar atë ruse, historia do të përsëritet.
“Gjithsesi, nuk mendojmë se është e drejtë të ndërhyhet në, dini ju, vendimet e shteteve sovrane, sa e madhe është ushtria e tyre. Por pikëpamja ime ishte se nëse duhet të ketë presion mbi ushtrinë ukrainase, e cila nuk ka sulmuar askënd, atëherë duhet të ketë presion edhe mbi ushtrinë ruse. Dhe me të vërtetë ushtria ruse është ajo që përfaqëson rrezik për të gjithë — dhe nuk flas vetëm për vendet evropiane, por për të gjitha vendet fqinje me Rusinë”, theksoi Kaja Kallas, BE.
NATO dhe BE vazhdojnë me një seri takimesh këtë javë, të përqendruara në sigurimin e financimit për Ukrainën para fundit të vitit.
