Presidenti amerikan, Donald Trump, pretendon se Shtetet e Bashkuara e kanë fituar tashmë luftën kundër Iranit, por thekson se Uashingtoni nuk do të tërhiqet pa siguruar një fitore të plotë.
Gjatë një fjalimi në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit, me rastin e Ditës së Veteranëve, Trump deklaroi se përfundimi i luftës është vetëm çështje kohe.
“Ne u kundërpërgjigjëm dhe fituam. Është thjesht çështje se kur duam t’i japim fund”, u shpreh presidenti amerikan.
Ai theksoi se synimi i administratës së tij është të arrijë një fitore të plotë dhe jo një rezultat të pjesshëm.
“Duam të sigurohemi që të kemi një fitore të plotë – jo një fitore prej 93 për qind. Do të jetë e plotë”, deklaroi Trump.
Presidenti amerikan ka përsëritur edhe më herët se lufta me Iranin do të përfundojë së shpejti, por në këtë deklaratë nuk dha një afat konkret për përfundimin e saj.
