Barcelona është skuadra më aktive për momentin në merkato. Pas transferimit të Anthony Gordon, katalanasit po punojnë për të zyrtarizuar nënshkrimet e tjera.
Por, përveç blerjeve, do të ketë edhe shitje. Shitja e parë që pret të bëjë Barcelona këtë verë është ajo e Ansu Fati. Mediet spanjolle bëjnë me dije se Barcelona është shumë afër finalizimit të marrëveshjes me Monaco-n, për shitje përfundimtare të sulmuesit spanjoll, për shifrën 13 milionë euro.
Në 30 ndeshje me francezët si huazim, Ansu Fati shënoi 12 gola dhe si duket kaq ka mjaftuar për të bindur klubin nga Principata për të bërë transferimin e tij përfundimtar. Vetë lojtari mësohet se ka pranuar të bëjë një ulje rroge, kusht i vendosur nga Monaco.
Shitja e Ansu Fati do të jetë një lehtësim i madh për Barcelonën. Së pari do të largohet përfundimisht një lojtar që nuk bën pjesë në projektin e tyre. Së dyti, lirohet hapësira e nevojshme në faturën e pagave, duke ditur rrogën e majme që merrte sulmuesi te katalanasit.
The post Jo vetëm blerje, por edhe shitje. Barcelona pret të fitojë 13 mln euro dhe të shpëtojë nga një “telash” i madh appeared first on Telesport.
