Përmes kanaleve zyrtare të Milanit, Joao Felix ka treguar ndjesitë e para si lojtar i kuqezinjve, duke prekur edhe disa tema të lidhura me të kaluarën e tij.
Për ndeshjen debutuese kundër Romës…
Ishte një ndjesi fantastike. Që para ndeshjes e ndjeja sikur do të shënoja. Me ndihmën e shokëve të ekipit realizova gol dhe tani gjëja më e rëndësishme është të vazhdojmë kështu. Dua të bëj gjithçka për ta ndihmuar skuadrën dhe klubin”.
Çfarë mendon se duhet për të qenë i kënaqur me performancën tënde?
Për të qenë i lumtur dhe në gjendjen e duhur mendore, duhet të ndihesh i dashur nga njerëzit. Në futboll bëhet fjalë vetëm për të luajtur, për të luajtur në pozicionin tënd, çka është gjëja më e rëndësishme, dhe për të fituar.
Çfarë lloj personi je jashtë futbollit?
Kur kam pak kohë të lirë, më pëlqen të shëtis nëpër qytet, të dal, të ha. Më kanë thënë që ushqimi këtu është i shkëlqyer, kështu që do të provoj shumë restorante. Më pëlqen gjithashtu të merrem me sporte të tjera; padel, golf, tenis.
Benfica, Atletico, Chelsea, Barcelona dhe tani Milan. Nëse do të duhej të zgjidhje një gjë, që secili prej këtyre klubeve të ka dhënë si lojtar, edhe në aspektin personal, çfarë do të thoje?
Kam mbërritur te Benfica shumë i ri, ishte skuadra ime e parë. Më ndihmoi shumë dhe kaluam një sezon të shkëlqyer, si personalisht, ashtu edhe si skuadër. U transferova në Spanjë shumë i ri, një vend ndryshe, një gjuhë ndryshe. Nuk isha mësuar. Më duhej pak kohë për t’u ambientuar në fillim, por pastaj u përshtata dhe njerëzit ishin fantastikë. Ishte një periudhë e mrekullueshme në Barcelonë, gjithmonë kisha ëndërruar të luaja atje. Ishte një vit ku isha shumë i lumtur. Pastaj te Chelsea, para se të vija te Milani, gjithashtu shumë mirë. I njihja tashmë disa njerëz, sepse kisha qenë më parë në huazim. Më pëlqeu, më pëlqeu Premier League. Në përgjithësi, kam mësuar diçka në çdo klub.
Çfarë përshtypjeje të la Sergio Conceição?
Unë e di si është Sergio, e dashuron futbollin, ndeshjet, fitoren. Ai e transmeton gjithçka te lojtarët që stërvit. Ka bërë mirë kudo ku ka shkuar, do të bëjë mirë edhe këtu.
Do të luash gjithashtu me Rafael Leao, si është marrëdhënia juaj?
Shumë e mirë, si brenda, ashtu edhe jashtë fushës. Shkojmë shumë mirë me njëri-tjetrin. Më pëlqen shumë të luaj me të, sepse më jep opsione të ndryshme. Nëse jam nën presion, ai gjithmonë më jep një opsion shtesë, qoftë me pasim në këmbë apo në thellësi. E dua lojën me të dhe ta kem në krah.
Duket se ke krijuar menjëherë një marrëdhënie të mirë me shokët e ekipit…
Po, disa i njihja më parë. Në futboll e njohim njëri-tjetrin të gjithë. Sot është më e lehtë të shkosh në një klub dhe të marrësh një pritje të ngrohtë.
Çfarë do të thotë për ty fanella me numrin 79?
Numri 79 ka shumë kuptim për mua, sepse ishte numri im i parë si profesionist, numri që më bëri të njohur në botë. Do ta dua gjithmonë këtë numër. Edhe vëllai im tani e mban atë te Benfica, kështu që tani të dy kemi numrin 79. Është fantastike.
Festa jote e golit, a ka lidhje me NBA-në?
Po, Steph Curry e ka bërë festimin ‘night night’, që më pëlqeu shumë. Nuk kisha parë askënd ta bënte atë në futboll, kështu që fillova ta bëja disa muaj më parë dhe mendoj se do ta vazhdoj për një kohë.
The post Joao Felix rrëfen debutimin e tij kuqezi: Me Leaon kam raport të shkëlqyer, brenda dhe jashtë fushës appeared first on Telesport.
