Në prag të ndeshjes së shumëpritur të 1/8-ave finale në Kupën e Botës për Klube mes Inter Miami dhe PSG, që do të zhvillohet të dielën në Atlanta, Jordi Alba ka shprehur gjithë entuziazmin e tij për takimin me Luis Enrique, ish-trajnerin e tij te Barcelona.

Mbrojtësi spanjoll, sot 36 vjeç dhe pjesë e MLS që nga viti 2023, ka punuar me Luis Enrique për tri sezone (2014-2017), duke fituar së bashku 9 trofe, përfshirë edhe Ligën e Kampionëve në vitin 2015. Një marrëdhënie profesionale dhe njerëzore që ka lënë gjurmë.

“Për mua është më i miri, jo vetëm si trajner, por edhe si menaxher grupi, – deklaroi Alba pas barazimit me Palmeiras (2-2). – Do të jetë shumë bukur ta ritakoj. PSG është një nga skuadrat që luan futbollin më të bukur në Europë. Do të jetë shumë e vështirë për ne ndaj parizienëve në 1/8 finale, por të ëndërrosh nuk kushton asgjë”.

Tek Inter Miami, i drejtuar nga Javier Mascherano, luajnë shumë nga ish-protagonistët e asaj Barcelone fituese: Messi, Busquets, Suarez dhe vetë Mascherano. Do të jetë një lloj ribashkimi në ngjyrat blaugrana, që e bën sfidën edhe më tërheqëse.

Alba nuk e fsheh admirimin për kundërshtarin: “Parizienët janë të kompletuar, dinë si ta menaxhojnë topin, sulmojnë në thellësi, kanë shumë cilësi. Sidoqoftë, ndeshja zgjat 90 minuta dhe ne do të provojmë. Duam të jemi krenarë për rrugëtimin tonë, tani e ka radhën PSG-ja”.

The post Jordi Alba mezi pret të ritakohet me Luis Enrique: Është më i miri në gjithçka appeared first on Telesport.